Rrahim Bajrami e ka një hall që askush tjetër nuk e ka. Edhe pse është gjallë e shëndosh, zyrtarisht është i vdekur. Nuk ka lënë derë pa trokitur për ta “jetësuar vetën edhe me letra”, por askush nuk i ka bërë zgjidhje. Në fund ka vendosur të trokasë në Kuvendin e Kosovës, aty ku funksionon Komisioni për të Drejtat Njeriut. Deputetët e kanë pranuar ankesën e tij dhe kanë vendosur të shtyjnë përpara zgjidhjen e hallit të këtij qytetari.
Anëtarja e Komisionit për të Drejtat Njeriut Teuta Haxhiu ka konfirmuar për AktivPress se do të thërrasin debat parlamentar në mënyrë që të ndërmerret diçka në këtë drejtim.
“Ne si komision për të Drejta të Njeriut kemi pranuar rastin e Rrahim Bajramit. Kemi diskutuar dhe kemi vendosur të thërrasim debat parlamentar nga ana e Qeverisë së Kosovës për këtë rast”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka shtuar se ky komision nuk mund të marrë vendim të drejtpërdrejtë për rastin në fjalë.
“Ne si Komision për të Drejta të Njeriut, i diskutojmë këto gjëra por që nuk mund të marrim ndonjë vendim, por do ta ngrehim si çështje”, ka theksuar ajo.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës thekson ky rast tregon se në çfarë gjendje është sektori gjyqësor në Kosovë dhe se siç thotë, e gjitha po shkaktohet nga qeverisja e LDK-së dhe PDK-së.
“Rasti i zotëriut është një shqetësim shumë i madh. Lënda e tij që 14 vjet zvarritet nëpër gjykatat e Kosovës dhe ende nuk ka asnjë vendim. Kjo është një padrejtësi e madhe që po bëhet në Kosovë. Kjo tregon gjendjen e gjyqësorit në Kosovës dhe qeverisjen aktuale nga PDK dhe LDK. Kjo qeverisje e ka ngulfatur shtetin”, thotë ndër të tjerash Haxhiu.
Sipas saj, gjendja në vend është sikur një “semafor i kuq”, i cili tregon gjendjen e stopuar në zhvillimin e vendit.
Ndërsa deputeti nga radhët e Vetëvendosjes , Mytaher Haskuka tregimin e Rrahim Bajramit e ka cilësuar të ngjajshëm me një skenar filmi për Oscars.
“Tregimi i z.Rrahim Bajrami do të ishte një skenar për një film komedi për Oskar po të mos demonstronte realitetin tragjik në të cilin jetojmë”, ka shkruar ai në Facebook.
Qytetari Rrahim Bajrami ishte në kontest pronësor që para vitit 2010, por kur nga gjykata u vërtetua se prona ishte e tij një gjykatës tjetër atë e kishte shpallur të vdekur në vitin 2010.
Pas shtatë viteve, Bajrami rastin e tij e ka paraqitur sërish në gjykatë dhe kishte ngritur padi ndaj gjykatësit por seanca ndaj tij ende nuk ka arritur të mbahet. Pas këtyre ngjarjeve, Bajrami rastin e tij e ka paraqitur dje (e mërkurë) edhe në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione. (AktivPress)