Deputetë të Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë vizituar sot Komunën e Kamenicës ku kanë takuar nënkryetarin e kësaj komunë, njëkohësisht kryetar i degës së kësaj partie, Faton Jakupi.
Kështu ka bërë të ditur Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri përmes një reagimi në llogarinë e tij në Facebook.
“Sot në Dardanë, bashkë me kolegët e grupit parlamentar të AAK-së për vizitë tek nënkryetari i Komunës, Faton Jakupi. Aktiviteti i Aleancës ndër vite në këtë qytet është shembull i një qeverisje të mirë. Lidershipi i treguar i Fatonit, Aleancën e ka faktorizuar si njërën ndër partitë kryesore në Kamenicë”, ka shkruar Tahiri.
Tahiri është zotuar se Kamenica do ta ketë mbështetjen e deputetëve të AAK-së në çështjet që janë në interes të qytetarëve.
“Dardana, si një komunë me kapacitete të mëdha në bujqësi e turizëm ka nevojë për më shumë mbështetje në investime kapitale nga pushteti qendror në veçanti rreth zhvillimit ekonomik lokal. I uruam sukses të mëtejmë në qeverisje dhe i ofruam mbështetjen tonë si deputetë të Kuvendit të Kosovës, në çështjet që janë në të mirë të qytetarëve të Komunës së Kamenicës”, ka përfunduar Tahiri.
Në vizitën që i bënë bizneseve, u tha se bizneset prodhuese janë para kolapsit. Furnizimi me lëndë të parë eshte shtrenjtuar për 100 përqind, kurse çmimet e shitjes jo më shumë 50 përqind. Nipas deputetëve të AAK-së, në këtë situatë, bizneset luftojnë për mbijetesë dhe humbje të punëtorëve, rrjedhimisht rrezikojnë falimentimin.