Deputetët e PDK-së dhe të Aleancës në Kuvend, ulen në vendet e tyre në sallën plenare

Prishtinë | 14 Gus 2026 | 11:17 | Nga Ekonomia Online

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë hyrë në Kuvend dhe janë ulur në vendet e tyre në sallën plenare.

PDK-ja dje u ka bërë thirrje partive të tjera parlamentare që sot në orën 11:00 të shkojnë në Kuvend, pasi paraprakisht i kërkuan kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari që ta thërrasë vazhdimin e seancës konstituive.

Aleanca ka thënë se i ishte përgjigjur pozitivisht ftesës së PDK-së.

Me kërkesë të kryeministrit në detyrë, kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, seanca konstituive e Kuvendit që nisi më 6 korrik është ndërprerë dy herë radhazi. Ai nuk e ka propozuar kandidatin për kryeparlamentar, siç kërkohet me Kushtetutë, pasi e konsideron të padobishme që të zgjidhet kryeparlamentari dhe nënkryetarët pa një marrëveshje paraprake për zgjedhjen e Presidentit.

Sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, të premtën në mesnatë ka përfunduar afati për konstituimin e Kuvendit. Megjithatë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, deputeti më i vjetër i Kuvendit që vjen nga LVV-ja, e caktoi për të shtunën vazhdimin e seancës konstituive, e cila u ndërpre nga ai në po të njëjtën mënyrë si ditën kur ajo nisi.

Tani, LVV-ja thotë se nuk do të ketë vazhdim të seancës konstituive pa një marrëveshje paraprake për Presidentin, për zgjedhjen e të cilit është përcaktuar një afat kushtetues 60 ditor, i cili fillon të rrjedhë vetëm pasi të konstituohet Kuvendi.

Të ngjashme