Deputetët e Vetëvendosjes rrezikojnë të humbin mandatet

Prishtinë | 03 Jan 2018 | 15:01 | Nga

Katër deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që u dënuan sot nga Gjykata Themelore e Prishtinës rrezikojnë të humbasin mandatin e deputetit në Kuvendin e Kosovës nëse dënimet që iu shqiptuan vërtetohen edhe nga Gjykata e Apelit.

Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Faton Topalli u gjetën fajtorë për përdorim të gazit në Kuvendin e Kosovës ndërsa ndaj tyre u shqiptuan dënime me kusht.

Kurti u dënua me 1 vjet e 6 muaj burg, Haxhiu me 1 vjet e 3 muaj, Kadaj-Bujupi me 1 vjet e 6 muaj si dhe Faton Topalli me 1 vjet e 2 muaj burg.

Të gjitha këto dënime nuk do të ekzekutohen nëse të akuzuarit nuk kryejnë vepër tjetër penale brenda një periudhe dyvjeçare.

Megjithatë, Kushtetuta e Kosovës por edhe Rregullorja e Punës së Kuvendit të Kosovës përcaktojnë se deputetët që dënohen me 1 e më shumë vjet burg humbin mandatin e deputetit.

Pika 6 e paragrafit 3 të nenit 70 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës përcakton se një deputet e humb mandatin nëse  “dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më  shumë vjet burgim”.

Përcaktim i njëjtë është edhe në Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës.

Pika d) e paragrafit 1 të nenit 25 të Rregullores së Punës të Kuvendit të Kosovës përcakton se deputeti humb mandatin nëse “dënohet për një vepër penale me burgim për një periudhë kohore prej një (1) e më shumë vjet”.

Pra, në rast se Gjykata e Apelit të Kosovës i vërteton dënimet e shqiptuara nga Gjykata Themelore e Prishtinës apo nuk i zbut në më pak se 1 vjet burg, deputetët e dënuar rrezikojnë të humbin mandatin.

As në Kushtetutën e Republikës së Kosovës e as në Rregulloren e Punës së Kuvendit nuk ka ndonjë përcaktim apo përjashtim që bën dallimin në mes të dënimit me burg efektiv dhe atij me kusht./kallxo.com

Të ngjashme