Masakrën e Dubravës, deputetët e Kuvendit të Kosovës po kërkojnë që mos ta ruajnë vetëm në memorie, por atë ta kenë të dokumentuar edhe në formë institucionale dhe duke e ngritur një monument pikërisht në vendin e krimit me emrat e të masakruarve, raporton Ekonomia Online.
Deputetja e PDK-së, Mexhide Mjaku Topalli, në komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, propozoi që në fillim të muajit prill të mblidhet një Këshill Organizativ dhe të bisedohet për masakrën e burgut të Dubravës e cila këtë vit shënon 20 vjetorin e saj.
“Në muajin prill të mblidhet një këshill organizativ dhe të bisedohet për masakrën e Dubravës në mënyrë që kjo datë të shënohet në mënyrën më meritore. Propozimi im ka qenë që të kërkohet si komision monumenti që do ndërtohet të jetë në vendin ku janë pishat sepse është kërkesë e familjarëve. Dhe të kërkohet nga Ministri i drejtësisë që të bëhet një qasje më e lehtë e hyrjes më ditën kur shënohet kjo datë”, tha Mjaku Topalli.
Anëtari tjetër i këtij komisioni, Shemsi Syla, tha se duhet të kthehen faktet e asaj dite si dhe gjurmët e saj, pasi sipas tij, faktorët ndërkombëtarë kanë tentuar ti zhdukin ato.
“Do kërkojmë që të kthehen faktet mos të humbin gjurmët e krimit. Të kërkojmë që ta na lejohet që ta vendosim pllakën në vendin e ngjarjes me emrat e të masakruarve e jo më larg. Të kërkojmë që ai vend të kthehet në muze. Ne duhet ta ngrisim këtë çështje më lartë që të i kushtojmë rëndësi më të madhe kësaj çështje dhe të mbahet një seancë e veçantë për këtë çështje”, tha Syla.
Syla propozoi që për ngjarjen e masakrës në burgun e Dubravës të kërkohet një seancë e veçantë.
“Masakra e Dubravës është rasti më i prekshëm që Serbia dhe Jugosllavia ka shkelë të gjitha normat është rasti i Dubravës, dhe ka fakte janë njerëzit janë fotot. Gjithë ai mekanizëm që e ka kryer atë punë sot janë në institucionet më të larta të Serbisë. Forcat ndërkombëtare janë mundu që ti heqin ato gjurmë por ne do ta kthejmë këtë memorie”, pohoi Syla.
Saranda Bogujevci propozoi që faktet për masakrën e Dubravës dhe i gjithë dokumentimi i kësaj ngjarje, të bëhet edhe në formë institucionale.
“Duhet të ngritët një monument që tregon atë që ka ndodhë. Duhet të bëhet dokumentimi për të dhënat konkrete se çka ka ndodhë në vendin e krimit. Dokumentimi duhet të bëhet në formë institucionale pasi që nuk është. Është me rëndësi që të tregohet taman historia”, tha Bogujevci.
Ndërsa, deputetja e PDK-së, Luljeta Veselaj – Gutaj, kërkoi që anëtarët e këtij komisioni të solidarizohen edhe me ngjarje të tjera të luftës.
Ajo kërkoi që në Ditën e Personave të Zhdukur të vizitohet edhe Krusha.
“Komisioni që i përkasim duhet të solidarizohet me Krushën e Madhe ku ka shumë fëmijë të cilët ende nuk e dinë se ki i kanë prindërit e tyre”, tha Veselaj – Gutaj, raporton EO.
Këto kërkesa deputetët i bënë në komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, ku u shqyrtua plani i punës së komisionit për vitin 2019.
Aty propozua nga deputetja Mexhide Mjaku Topalli, që mbikëqyrja e Projektligjit për Barazi Gjinore të mbetet në muajin shkurt, poashtu të dalin disa rekomandime për personat me aftësi të kufizuara
“Kam propozuar që në këtë tryezë të dalin disa rekomandime për personat me aftësi të kufizuara, rekomandime këto të dokumenteve gjithëpërfshirëse që të procedohet ky projektligj. Kur jemi tek muaji i punës mendoj që do ishte mirë të mbahet një konferencë e përbashkët me të gjithë akterët që ligji për barazi gjinore në të gjithë sektorët kryhet nga gratë por nuk respektohet. Duhet të mbahet një konferencë dhe të diskutohet për ligjin për barazi gjinore. Mbikëqyrja e projektligjit për barazi gjinore le të mbetet në muajin shkurt”, tha Mjaku Topalli.
Votimi për planin e punës në vitin 2019 nuk është bërë pasi që anëtarët e këtij komisioni kanë pasur një takim pune me shefe e Zyrës së Bashkimit Evropian, Natalya Apostolova.