Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi është takuar me një delegacion nga Universiteti i Indianas të ShBA-së, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i këtij komisioni, Ismajl Kurteshi, u prezantoi sistemin arsimor për të cilin tha se ekzistojnë disa mangësi edhe pse është punuar në disa ligje.
“Komisioni është i angazhuar edhe në ngritjen e nivelit të arsimit në Kosovë pasi që arsimi nuk është në nivelin e duhur në vendin tonë. Janë disa ligje të cilat i kemi aprovuar apo presim ti aprovojmë. Vitin e kaluar kemi punuar në ligjin për arsimin. Si komision kemi organizuar tryeza të ndryshme për çështje të arsimit, për ato që ne kemi qenë të preokupuar. Tani presim edhe një ligj tjetër Ligjin për Tekstet Shkollore që konsiderojmë se është nga ligjet më të rëndësishme”, tha ai.
Ai ka shpjeguar para këtij delegacioni se si funksionon arsimi në Kosovë.
“Edukimi i fëmijëve fillon formalisht që nga mosha zero deri në pesë vite. Është kohë kur fëmijët i dërgojmë në çerdhe. Këto nuk qëndrojnë mirë në vendin tonë. 20 për qind të tyre shkojnë në institucione private të cilat sipas përshtypjes sonë nuk janë të nivelit të duhur dhe nuk kanë kapacitetet e duhura. Pas klasës së nëntë shkohet në shkollat e mesme dhe ato janë të ndara në dy grupe: në Gjimnaze në të cilat shkojnë nxënësit që kanë për qëllim të studiojnë pas shkollës së mesme dhe në shkolla profesionale në të cilat kemi profile të ndryshme”, tha Kurteshi.
“…Në Kosovë janë 7 universitete. Kemi fatkeqësisht edhe shumë studentë që pas universitetit mbesin pa punë, prandaj kemi shumë studentë që migrojnë në vende perëndimore dhe gjejnë punë”.
Dekani Lemuel W. Watson kërkoi përgjigje edhe për mënyrën e vlerësimit të nxënësve. Ai tha se duhet të përshtatën nevojat e mësimdhënësve me vizionin për sistemin arsimor në Kosovë.
“Kur punojmë së bashku, kur shikojmë nga zhvillimi i vendit se çka duhet të bëjmë për zhvillim ekonomik, mësimdhënësit janë mu në qendër për këtë zhvillim. Sot kuptova se jo vetëm që janë dy ndërrime, por ka shkolla që kanë tri ndërrime. Këtu duhet të jemi të vëmendshëm që të gjejmë disa shkolla që të bëjmë një lloj transformimi. Unë e di që këtu ka pasë shumë trajnime, por pyetja kryesore është se cilat janë nevojat e mësimdhënësve dhe cili është vizioni i sistemit arsimor në Kosovë? Nëse nuk i trajnojmë njerëzit se si të jenë kreativë atëherë asgjë nuk është efektive. Duhet të krijojmë një profil dhe të marrim rezultat. Shteti duhet të përzgjedhë disa universitete që janë unike”, tha Watson.
E kryetari i Komisionit, Ismajl Kurteshi, u përgjigj në pyetjet e parashtruar nga Watson.
“Kemi dy lloje të vlerësimit. Vlerësim i brendshëm dhe ai i jashtëm ku përfshihen inspektorët. Këtu kemi qenë dobët sepse edhe nuk kemi pasë një ligj por edhe numri i inspektorëve është i vogël. Edhe sa i përket programeve, një pjesë e madhe e programeve që i kemi edhe në shkolla profesionale nuk janë në përputhje me nevojat e tregut prandaj kemi shpesh edhe kuadro të kualifikuara por që nuk ka nevojë tregu për to. Edhe për vlerësim edhe për programe duhet të punojmë shumë që ti bëjmë ashtu siç duhet dhe ta kemi një sistem të vlerësimit real që atëherë shumë më lehtë njerëzit mund të kualifikohen”, tha ai, raporton EO.
Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, tha se politika duhet të heq duart nga arsimi plotësisht.
“Nga gjithë përvoja që kam marrë nga trajnimet nuk është se kam pasë ndonjë ndryshim shumë të madh. Përkushtimi i mësimdhënësve është kudo, por njohuritë nga trajnimet janë shumë pak. Te mësimdhënësit është krijuar një presion për të pasë shumë trajnime shkel e shko, për të bërë një vlerësim që në realitet nuk është i mirë, është duke ndodhë krejt formal nëpër shkolla. Mendoj se mësimdhënësit duhet të jenë të lirë dhe ne si politikë t’i heqim duart nga ta”, tha ajo.
“…Të investojmë në Universitetin e Edukimit sepse prej aty dalin mësimdhënësit. Politika larg arsimit, në plotni nuk mund ta heqim, por ne po punojmë për ta hequr nga arsimi. Por, kur bëhen trajnime ju lutem ta keni parasysh keqpërdorimin e shumë organizatave për të përfituar”.
Deputeti i PSD-së,Driton Çaushi, tha se ajo çka mungon në sistemin arsimor në Kosovë është një master plan i cili merr parasysh nevojat e tregut, duke pasë parasysh edhe zhvillimet e teknologjisë.