Komisioni Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka mbështetur kërkesën e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në lidhje me mbështetjen financiare për punëtorët e sistemit shëndetësor.
Ky komision ka kërkuar nga qeveria që në këtë ndihmë financiare t’i përfshijë tërë stafin profesional mjekësor dhe përcjellës.
“Me qëllim që të mos kemi shkëputje të hallkës së funksionimit të sistemit shëndetësor në ketë kohë kur pandemia Covid-19 po merr çdo ditë dimension të ri, kërkojmë nga qeveria dhe Kryeministri në detyrë, z. Kurti, që në vendimin e Qeverisë në detyrë për mbështetje financiare shtesë për punonjësit shëndetësorë, të përfshihet tërë stafi profesional mjekësor dhe ai mbështetës jo mjekësor në të gjitha institucionet shëndetësore brenda vendit”, thuhet në reagimin e komisionit.
Reagimi i plotë i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale:
Komisioni Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale është njoftuar për reagimin dhe kërkesën e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës drejtuar Kryeministrit në detyrë, z. Albin Kurti, në lidhje me paqartësinë e vendimit të Qeverisë për mbështetje shtesë financiare për punëtorët e sistemit shëndetësor.
Nisur nga fakti se sistemi shëndetësor në vendin tonë funksion në mënyrë zingjirore dhe në vete ngërthen angazhimin e stafit profesional mjekësor por edhe stafit tjetër mbështetës, si Komision Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale mbështesim kërkesën e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.
Me qëllim që të mos kemi shkëputje të hallkës së funksionimit të sistemit shëndetësor në ketë kohë kur pandemia Covid-19 po merr çdo ditë dimension të ri, kërkojmë nga qeveria dhe Kryeministri në detyrë, z. Kurti, që në vendimin e Qeverisë në detyrë për mbështetje financiare shtesë për punonjësit shëndetësorë, të përfshihet tërë stafi profesional mjekësor dhe ai mbështetës jo mjekësor në të gjitha institucionet shëndetësore brenda vendit.
Kjo mbështetje do të ndihmojë në rritjen e efikasitetit të të gjithë atyre që janë të angazhuar në sistemin shëndetësor.