Deputetët kërkojnë që 15 janari të njihet si datë e masakrave serbe në Kosovë

Prishtinë | 02 Maj 2019 | 16:18 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni ad-hoc për hartimin e Projekt-Rezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës në Kosovë ka shqyrtuar Draft-rezolutën për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës në Kosovë të shkaktuara nga ana e ish-regjimit shtetëror serb, raporton Ekonomia Online.

Deputeti i Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, ka paraqitur Draft-rezolutën me të gjeturat dhe dokumentet ndërkombëtare mbi luftën në Kosovë.

“Tash teksti po ta shohin edhe ekspertë tjerë është më mirë, mendoj se në aspektin ligjor dhe përmbajtjesor është rregulluar”, tha ai.

Ndër vërejtjet që patën anëtarët ishte për përcaktimin e një date në përkujtim të të gjitha masakrave dhe njerëzve të vrarë nga regjimi serb në Kosovë.

Deputeti i Nismas, Bilall Sherifi, tha se data 15 janar do të ishte e duhur për shkak se në këtë datë ndodhi ndërkombëtarizimi i çështjes së masakrave në Kosovë.

“Propozojmë të jetë 15 janari sepse përderisa për të gjitha masakrat në masë janë krime të luftës, rasti i Reçakut është rast i veçantë dhe atë që kanë thënë ndërkombëtarët e sanksionojmë në rezolutën tonë. Duke pasë parasysh rëndësinë në fillimin e luftës apo ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës mendoj se është e rëndësishme të mbetet. Çdo vend mundohet ta ketë një datë për gjithçka dhe data që do përfaqësonte të gjitha mendoj se do ishte data 15 janar”, tha Sherifi.

Ai tha se Kosova ka nevojë të madhe për këtë rezolutë për shkak se sipas tij Serbia po bënë propagandë duke përçuar dezinformata se nuk ka pasur gjenocid.

“Vendi jonë ka nevojë jashtëzakonisht të madhe për këtë rezolutë sepse kanë fillu të depërtojnë më shumë vende miqësore tona për të përcjellë dezinformata se në Kosovë nuk ka pasë gjenocid”.

Armend Zemaj nga LDK-ja tha se nga dokumentet ndërkombëtare të cilat janë të besueshme, duhet të mblidhen shifra të sakta.

“Përpos që ne duhet të kemi saktë shifra mendoj se apostrofimi i vendeve ku kanë ndodhë masakrat është e rëndësishme. Te pjesa kryesore hetimore ka qenë tendenca e zhdukjes së kufomave dhe kjo ka ndodhë. Në këtë rrafsh po flasim për diçka gjenocidiale. Ka ndodhë zhdukja, karbonizimi dhe fshehja që ka ndodhë edhe në Serbi, është krim i organizuar shtetëror. Saktësimi i vendbanimeve ku kanë ndodhë. Nuk mendoj se është e parëndësishme”, tha Zemaj, raporton EO.

Ai propozoi që në këtë rezolutë të zgjerohet hapësira kohore dhe të përfshijë ngjarjet që nga viti 1989 deri më 1990.

“862 mijë shqiptarë të dëbuar. Plus dëbim përfshihet edhe pjesa e zhvendosur brenda Kosovës. Në tërësi diku 80 për qind e popullsisë në atë kohë llogaritet e dëbuar. Kisha propozu të periudhat kohore, njëra hapësirë duhet të jetë 1989-1999. Këtu nuk iu kishim hi në hak edhe atyre që janë vra gjatë vitit 1990. E dini që ka njerëz të zhdukur prej 97. Mendoj që kjo ndoshta kish mundë me gjet një pjesë kur ka fillu ky regjim deri kur ka përfundu”.

Mërgim Lushtaku nga PDK-ja propozoi ndryshim tek ndryshimi i fjalës “regjim i Millosheviqit” në regjim serb, ashtu si edhe propozoi të shtohet togfjalëshi “katastrofë humanitare”.

“Duhet të ndryshohet “Regjimi i Millosheviqit” sepse kjo e justifikon shtetin serb në luftën që ka bë. Te ndërhyrja e NATO-s është mirë të përdoret edhe togfjalëshi “katastrofë humanitare”. Pastaj te data, Kuvendi vendos 15 janarin si datë, pajtohem që me ligj me rregullu këtë çështje”, tha ai.

Ai tha se duhet fokus në ngritjen e një Tribunali Ndërkombëtar për gjykimin e krimeve, për çka kundër ishte deputetja e VV-së, Saranda Bogujevci.

“Kërkesë e veçantë e kësaj rezolute është krijimi i një Tribunali Ndërkombëtar dhe mendoj se këtu duhet të fokusohemi”, tha Lushtaku.

Bogujevci tha se në vend të Tribunalit Ndërkombëtar mund të krijohet një Gjykatë vendore që trajton këto çështje.

“Duhet me pa Gjykata e Hagës, EULEX-i, ta ndërtojmë edhe një gjykatë mendoj është e padrejtë për vendin. Mendoj se duhet të ndërtohet një Gjykatë e brendshme ta marrim përgjegjësi vetë për të trajtu çështjet e luftës. Mendoj se duhet të kemi kujdes dhe ta shqyrtojmë mirë para se të japim propozim konkret”.

Ajo tha se Instituti për Krime të Luftës duhet të rihapet sërish dhe të marrë përsipër detyrat që ka pasur.

Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, tha se data 15 janar nuk mund të jetë përfshirëse për të gjitha masakrat pasi sipas tij ka të tjera të cilat i japin më shumë bazë se Serbia ka kryer gjenocid.

“Unë vlerësoj se duke pa nga afër ngjarjen e Reçakut, vlerësoj se ka ngjarje tjera që i japin shumë më shumë bazë idesë se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë e që nuk është Reçaku. Janë dhjetëra masakra që për bazë kanë pasë zhdukjen”, tha Nitaj.

Ndërsa Sherifi tha se kjo datë do pranohej më lehtë duke qenë se vetë ndërkombëtarët janë deklaru në të.

“Shumë më lehtë do pranohej ndërkombëtarisht kjo datë e Reçakut sepse është datë për të cilën vetë kanë deklaru”.

Deputetja e PSD-së, Aida Dërguti, propozoi prapë që ngjarjet të renditen në mënyrë kronologjike.

E deputeti i VV-së, Sami Kurteshi, tha se arsyeja pse nuk ka futur ngjarjet që nga 1989 është sepse nuk ka gjetur dokumente dhe fakte të asaj kohe.

“Problemi im ka qenë se askund s’kam mundur me gjet elemente ku përmenden krime kundër njerëzimit, krime të luftës dhe krime gjenocidi në dokumentet ndërkombëtare. Përpjekja për mos me gjet elemente më ka bë mos me fut para 98-ës. Vendbanimet dhe datat e të gjitha masakrave duhet të futen. Nuk ka diskutim. Katastrofa humanitare mund të futet. Edhe regjimi i Millosheviqit, unë mendoj që askund nuk duhet të përmendet emri Millosheviq. Kam bërë përpjekje, përmendet çështja e 20 mijë grave të dhunuara. Unë kam dashtë më mbërri të burimi, kush e ka përmend për herë të parë. Për herë të parë është përdorë nga një organizatë amerikane. Unë iu kam shkru, por nuk mu kanë përgjigj. Unë nuk guxoj me e shkru në një dokument dhe më dalë dikush me më pyet për burimin e unë me thënë jo nuk e di”, tha Kurteshi.

“…Ky tekst mbetet dhe nuk duhet të mendojmë se është rezolutë vetëm për Kosovën brenda. Sa i përket propozimit të zonjës Dërguti, unë mendoj se teksti i rezolutës duhet të shohim si duam t’i fusim masakrat”.

Kuvendi me 15 prill ka miratuar me 66 vota për, formimin e komisionit Ad Hoc të propozuar nga deputeti Bilall Sherifi, për gjykimin e krimeve të luftës nga shteti serb ndaj popullit të Kosovës. Pak ditë pasi Kryeparlamentari Kadri Veseli paralajmëroi inicimin e formimit të një Gjykate Speciale për krimet dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë, Kuvendi i Kosovës nisi procedurat ligjore për formimin e një komisioni Ad Hoc i cili do të bëjë hapat konkret për të propozuar nismat ligjore për këtë çështje.

Të ngjashme