Në ditën e dytë të vizitës në Slloveni, Grupi i Miqësisë me Slloveninë në Kuvendin e Kosovës, është pritur në takime të veçanta nga kryetari i Këshillit Nacional të parlamentit slloven, Mitja Bervar, kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme, Jozef Horvat, si dhe nga Matej Marn, drejtor politik dhe njëkohësisht edhe drejtor i përgjithshëm për Politikë të Jashtme të Përbashkët dhe Siguri, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Sllovenisë.
Në takimin e zhvilluar me Bervar dhe anëtarë të Këshillit Nacional, është biseduar për zhvillimet politike në Kosovë e Slloveni, si dhe më gjerë.
Bervar ka theksuar se Këshilli Nacional, si pjesë e organizimit strukturor të parlamentit slloven dhe ai personalisht, mbeten të përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe ndërinstitucional me Republikën e Kosovës.
Më tej, ai ka shtuar se Sllovenia në plotëni mbështet integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike, si dhe po ashtu i jep mbështetje të gjithanshme procesit të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Në lidhje më anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, anëtari i Këshillit Nacional, njëherësh president i Komisionit Kombëtar Slloven për UNESCO, Stane Pejovnik, ka nënvizuar se ai personalisht dhe institucioni që drejton, janë të gatshëm të ofrojnë gjithë mbështetjen e nevojshme për procesin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.
Kryetari i Grupit të Miqësisë, Elmi Reçica, duke i falënderuar nikoqirët në emër të delegacionit, ka shprehur mirënjohjen e Kosovës për mbështetjen sllovene në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova.
Gjithashtu, Reçica ka njoftuar Bervar dhe kolegët e tij për proceset politike në Kosovë, si dhe për angazhimin e gjithëmbarshëm të shtetit dhe shoqërisë kosovare në procesin e ndërtimit të shtetit dhe për përcaktimin e përbashkët drejt integrimit në NATO dhe BE, ku ka ripërsëritur kërkesën për mbështetje nga miqtë sllovenë.
Bervar me kolegë kanë siguruar delegacionin e Kuvendit të Kosovës se Kosova në vazhdimësi do të gëzojë mbështetjen sllovene.
Delegacioni i Kosovës është pritur në takim edhe nga Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Jozef Horvat.
Horvat ka thënë se Sllovenia dhe Kosova kanë një miqësi tradicionalisht të sinqertë dhe të gjatë.
Ai ka potencuar se procesi i integrimit të Kosovës në strukturat euro-atlantike, sikurse edhe vendeve tjera të rajonit, përbën prioritet dhe angazhim aktiv të politikës së jashtme sllovene.
“Kjo, edhe për arsye se Sllovenia e konsideron veten si vend të lidhur edhe emocionalisht me rajonin, por për më tepër për shkakun që integrimi i plotë i vendeve të rajonit në strukturat euro-atlantike është themel edhe për paqen, stabilitetin dhe mirëqenin e përgjithshme në rajon në Evropë”, ka thënë Horvat.
Ai ka nënvizuar se të gjithë në Evropë e kanë shumë të qartë se Kosova ka orientime të palëkundura evropiane dhe se këtë ka pasur rastin ta bisedojë dhe dëgjojë edhe në takimet e fundit me kolegët nga Bundestagu gjerman.
Horvat ka deklaruar gjithashtu se paqja dhe stabiliteti rajonal janë detyrë dhe përgjegjësi e përbashkët e të gjitha vendeve, duke vlerësuar këtu rolin e Kosovës për fqinjësi të mirë dhe dialog me të gjitha vendet fqinje.
Në këtë kontekst, ai theksoi se është me rëndësi që Kosova të sillet me përgjegjësi edhe në lidhje me ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, duke shtuar se Sllovenia ka qenë tërësisht e angazhuar që Mali i Zi të bëhet anëtar i NATO-s.
Ndërkaq, Reçica ka shtuar se fuqizimi i mëtejmë i subjektivitetit ndërkombëtar dhe anëtarësimi në BE dhe NATO, mbeten prioritete të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës, si dhe orientim i përbashkët strategjik i gjithë shoqërisë kosovare.
Në vazhdim, kryetari Reçica e njoftoi homologun e tij slloven për punën e institucioneve të Kosovës në forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit, si dhe për veprimet e gjithanshme institucionale në adresimin e sfidave me të cilat ballafaqohet vendi.
Në lidhje me çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, Reçica theksoi se liderët politikë në vend janë duke u përpjekur të gjejnë zgjidhje dhe shfaqi optimizmin se të gjitha paqartësitë rreth kësaj çështje do të sqarohen. Veç kësaj, ai shtoi se Kosova ndjek politikë të fqinjësisë së mirë dhe ka raporte të shkëlqyera më vendet fqinje, përveç Serbisë, me të cilën Kosova po zhvillon dialog për normalizimin e raporteve.
“Por, ende Serbia po ndjek politikë jo miqësore ndaj Kosovës, përderisa ka vështirësi në zbatimin e marrëveshjeve të arritura”, theksoi Reçica.
Ai po ashtu foli edhe për rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, duke nënvizuar se është shumë e padrejtë që dy milionë evropianë të mbahen të izoluar, përderisa të gjitha kriteret e vëna Kosovës, janë plotësuar.
Ishte dakordim i përbashkët që të thellohet edhe më tej bashkëpunimi bilateral në të gjitha fushat, veçmas në ekonomi.
Delegacioni i Kuvendit të Kosovës është pritur edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Sllovenisë.