Pas dy dështimeve të njëpasnjëshme të Kuvendit të Kosovës për miratimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, në mungesë të konsensusit të brendshëm politik bashkësia ndërkombëtare po kërkon nga subjektet politike që sa më shpejt ta përmbyllë këtë çështje.
Zyrtarë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, nga Ambasada e Gjermanisë, si dhe nga Komisioni Evropian kanë thënë se ratifikimi i Demarkacionit është hap vendimtar në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Ambasadori i amerikan në Kosovë, Greg Delawie, pas shtyrjes së seancës për Demarkacionin për të mërkurën e ardhshme ka kërkuar nga partitë politike që të arrijnë një marrëveshje për të ratifikuar Marrëveshjen e Vjenës. Ai ka thënë se partitë duhet të bëjnë marrëveshje që i vendos qytetarët në radhë të parë.
“Tani është koha që të gjitha partitë politike të demonstrojnë lidership. Bëni një marrëveshje që i vendos qytetarët në radhë të parë. Kaloni Marrëveshjen e Demarkacionit”, ka shkruar Delawie në llogarinë e tij në “Twitter”.