Jo serioze e ka vlerësuar deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Syla, iniciativën e Lëvizjes Vetëvendosje për ngritjen e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Hoti.
Syla në një prononcim për Ekonomia Online, ka thënë se Vetëvendosjes nuk i takon që të jetë pjesë e ndonjë qeverie të re, pasi sipas tij, ata i ikën përgjegjësive sa ishin në pushtet.
Ai ka bërë të ditur se ata janë të interesuar në vazhdimin e qeverisë, dhe rimëkëmbjen ekonomiket të vendit.
“Kjo iniciative është jo serioze, ata qe e rrezuan veten tani kërkojnë ta rrezojnë dikë tjetër, me se paku u takon atyre qe te kërkojnë te jenë pjese e ndonjë qeverie te re, pasi qe ata vet u ikën përgjegjësive sepse ishin ne pushtet. Fokusi jone është në rimëkëmbjen ekonomike duke pas parasysh neper cilat vështirësi ekonomike, pandemike po kalon vendi, dhe bota”, është shprehur Syla, raporton Ekonomia Online.
Lëvizja Vetëvendosje të enjten përmes një konference për media ka njoftuar se ka iniciuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Hoti.
Por, kjo parti deri më tani nuk ka gjetur përkrahje për të siguruar 40 nënshkrimet e nevojshme për ta proceduar mocionin në Kryesi të Kuvendit.
PDK, ka bërë të ditur se nuk e nënshkruan mocionin, por do ta votonte atë, nëse hynë si rend dite në seancë plenare.
Ndërsa, edhe Nisma ka bërë të ditur se nuk e përkrahë mocionin e Vetëvendosjes.