Deputeti i PDK-së akuzon Qeverinë Kurti për rritje enorme të shpenzimeve

Prishtinë | 20 Maj 2020 | 16:06 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Sejdi Hoxha ka thënë se qeverisja e Albin Kurtit i ka rritur shpenzimet në mënyrë enorme.

Ai tha se Qeveria Kurti kishte premtuar që do ta ketë prioritet reduktimin e shpenzimeve, por ajo u tregua shumë e papërgjegjshme në menaxhimin e parasë publike.

“Kjo më së miri kuptohet në raportin financiar të tremujorit të parë TM1 (Janar-Mars )2020, gjë qe në këtë raport shihet qe kemi rritje enorme të shpenzimeve në shumicën e kategorive buxhetore. Ata premtuan zvogëlim të numrit të ministrive dhe pozitave të tjera shtetërore, por ky veprim doli të jetë për konsum politik”, ka shkruar Hoxha.

Sipas tij, shpenzimet për paga shënuan vlerën prej 154.59 milionë euro gjatë këtij tremujori.

“Këtu kemi rritje të shpenzimeve prej 3% apo mbi 5.17 milionë euro më shumë krahasuar me shpenzimet e pagave në periudhën e njëjtë të vitit 2019”, tha ai.

Hoxha tha se shpenzimet në subvencione dhe transfere arritën shumën prej 143.89 milionë euro që paraqet një rritje prej 4.21 milionë euro, apo 3% më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019.

“Përveç shpenzimeve të papërgjegjshme të parasë publike, kjo qeveri dështoi edhe në mos realizim teë planifikimit në të hyra në shumë kategori të tjera. Në këtë periudhë kohore kemi realizim më të vogël (mos realizim) te të hyrave buxhetore prej 62,370,000.00 me pak krahasuar me periudhen e njëjtë të vitit të kaluar, ndërsa projektet kapitale nuk janë realizuar as 50% në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, ka shkruar ai.

Hixha është shprehur se kësaj qeverie sic e ka quajtur ai të papërgjegjshme shpejt fo t’i hiqet maska.

“Qytetar të dashur, maska e kësaj qeverie të papërgjegjshme do të hiqet shpejt dhe do ta kuptoni që të gjitha premtimet elektorale të këtyre partive në pushtet kanë qenë një mashtrim vetëm për egot e tyre për pushtet”, tha ai.

Të ngjashme