Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka hedhur dyshime se në Kosovë janë duke u administruar vaksina pa afat, e për të cilat thotë se Ministria e Shëndetësisë po e mban të fshehtë si informacion, raporton Ekonomia Online.
Këtë e ka bërë të ditur në një intervistë për Ekonomia Online. Tutje, ai ka kërkuar nga Prokurori i Shtetit që t’i hetojë këto kontrata.
Bekim Haxhiu thotë se përveç 133 mijë dozave të vaksinës që iu ka kaluar afati në muajin gusht ka edhe doza të tjera të vaksinave që iu ka skaduar afati për të cilat tha se Ministria e Shëndetësisë po i mban fë fshehtë si informacion.
“Ka pothuajse një muaj që jam duke kërkuar qasje në dokumente publike dhe Ministria e Shëndetësisë e fsheh këtë informacion, nuk jepet qasje për të parë certifikatën e vaksinave të cilat janë pranuar donacion por edhe të cilat i ka skaduar afati”, ka thënë ai për EO.
Haxhiu thotë se i ka bërë ftesë publike Prokurorit të Shtetit që të merret me këtë çështje.
“Në një kohë kur vaksinimi shpëton jetë, t’ju skadojë afati vaksinave është diçka e papranueshme”
Sa i përket procesit të vaksinimit, Haxhiu thotë se qeveria ka dështuar në planin e veprimit të vaksinimit
“Atë që e ka premtuar vaksinimin 60 për qind ndonëse nuk ishte premtim për tu mburrur dhe aty ka dështuar ta zbatoj sepse sipas institutit “Jon Hon University” vetëm 43.64 për qind e qytetarëve të Republikës së Kosovës janë të vaksinuar me të dy dozat deri më 1 janar 2022”
Tutje Haxhiu tha se qeveria ka gabuar në planin e veprimit, sipas tij në viset rurale më shumë.
“Ka krijuar më duhet 239 ekipe të vaksinimit të cilat kanë qëndruar nëpër salla sportive por nuk kanë pasur një gjithëpërfshirje në veçanti në viset rurale. Shumë me vonesë ka krijuar ekipet mobile, shumë me vonesë është shpërndarë për të realizuar këtë vaksinim. Unë iu rikujtoj se në vitin 1972 kur numri i profesionistëve shëndetësorë ka qenë shumë i vogël në Kosovë, atëherë është arritur që të bëhet vaksinimi i 1 milion qytetarëve të Republikës së Kosovës brenda tri javësh”, ka thënë ai.