Deputeti i Vetëvendosjes: Nuk do të lejojmë Bosnjëzimin e Kosovës

Prishtinë | 26 Jan 2023 | 19:13 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Vetëvendosje, Agon Batusha në Tëvë1 foli për kërkesën e Serbisë dhe të Bashkësisë Ndërkombëtare për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe si dhe për dialogun me shtetin serb.

Batusha tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të lejojë bosnjëzimin e Kosovës, teksa tha se nuk do të lejojnë cenimin e integritetit territorial dhe krijimin e një pushteti ekzekutiv të ri.

Sipas tij, me krijimin e një asociacioni të tillë si është bërë marrëveshja në vitin 2013 cenohet komplet funksionimin e shtetit të Kosovës qysh është në Kushtetutë.

“Qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje për këtë punë është i qartë, nuk do të lejojmë bosnjëzimin e Republikës së Kosovës, rrjedhimisht nuk do të lejojmë asesi minimin e perspektivës së Kosovës për shkak se një asociacion i tillë siç është nënshkruar ajo vetëm se do ta minojë të ardhmen e Kosovës dhe gjithmonë do të jetë peng dhe ndoshta në të ardhmen do të avancohet tutje”, tha Batusha.

I ftuar në emisionin “Ditari”, deputeti i VV-së tha se pala që kërkon asociacionin duhet të shpjegojë së pari pse nuk po mjafton plani i Ahtisarit dhe të tregojë se cili shtet Evropian po edhe përtej Evropës ka kaq shumë të drejta për komunitetet pakicë.

“Është rasti Bosnjës e cili është i freskët dhe e shpjegon dhe është një gabim që ka ndodhur dhe nuk duhet të përsëritet më… Ky është gabimi ku në fillim ka filluar me asociacionin e komunave që udhëhiqen nga serbët në Bosnjë dhe Hercegovinë e nëse ky shembull na vihet neve në Kosovës, ne duhet ta parandalojmë”, tha ai.

“Janë 33 marrëveshje të cilat janë arritur në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe nuk janë zbatuar dhe kjo është ndër 33 marrëveshjet, pra pse nuk po flitet pët 32 të tjerat dhe po prioritizohet njëra prej tyre, njëra e cila është e vetmja të cilën Gjykata Kushtetuese ka thënë që është në Kundërshtim me Kushtetutën dhe nuk është një kundërshtim i vogël por janë 23 nene të kushtetutës të cilat janë shkelur”, shtoi ai.

Sipas Batushës nuk mund të ketë institucione, nuk mund të ketë organizim të brendshëm brenda Kosovës i cili është një etnik sepse kjo e cenon automatikisht Kushtetutën e Kosovës.

Të ngjashme