Deputeti i VV-së thotë se Rron Gjinovci merr miliona euro fonde

Prishtinë | 21 Mar 2023 | 22:42 | Nga Ekonomia Online

Debate të ashpra që kanë kaluar deri në nivelin personal janë zhvilluar në emisionin Debat Plus në mes të Kryetarit të Komisionit Parlamentar për Arsim, Ardian Gola (LVV), dhe drejtuesit të organizatës ORCA që merret me cilësinë në arsim.

Deputeti i LVV-së ka thënë se bart përgjegjësi të plotë lidhur me vonesën e Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Akredim.

Por sipas tij në këtë agjenci duhet të mbizotërojë profesionalizmi.

Mirëpo drejtori i ORCA Rron Gjinovci e ka akuzuar Golën se ky i fundit nuk e njeh fare Agjencinë e Akreditimit.

“Unë i monitoroj mbledhjet e Agjencisë së Akreditimit dhe ju asnjëherë nuk keni qenë në ato mbledhje”, i është drejtuar Gjinovci Golës.

Gola e ka sfiduar Gjinovcin duke i kërkuar atij t’i tregojë disa nene që ky i fundit i kontestoi, dhe pasi drejtuesi i ORCAS refuzoi të flasë, deputeti i tha:

“A po e sheh që lidhje me kryet nuk keni në lidhje me arkitekturën juridike të Kosovës”.

Debati ka vazhduar tutje duke kaluar edhe në rrafshin personal.

“Ti po tenton të ulësh cilësinë në arsim në mënyrë që vet të avancohesh në arsim pasi nuk keni punime shkencore”, i është drejtuar Gjinovci, Golës.

“Rron Gjinovci je duke marrë miliona euro fonde. Ti e ki përgjegjësinë për këto fonde që je duke i menaxhuar, mos e personalizo debatin. Nuk mund të prodhosh cilësi duke shkatërruar sigurinë juridike”, ka replikuar deputeti Gola.

Deputeti thotë se për shtatë vite në UP janë ndryshuar shtatë rregullore.

“Unë vet nuk e di si do t’ia bëjë kur të më vije radhe për avancim si do t’ia bëjë nëse vazhdohet me këtë trend”, deklaroi Gola.

“Jo ti nuk mundesh në asnjë mënyrë të avancohesh se nuk ke punime shkencore”, i është përgjigjur me ironi Gjinovci.

“Ti asnjë raport profesional nuk ke mundur ta bësh për një institucion akademik siç është UP-ja, e vjen këtu mua më mban ligjërata”, ka qenë kundër replika e Golës.

Të ngjashme