Deputeti i LDK-së tregon se kur mund të iniciohet rrëzimi i Qeverisë

Prishtinë | 02 Pri 2018 | 14:14 | Nga

Pas daljes së Listës Serbe nga qeveria Haradinaj, koalicioni qeverisës ka humbur shumicën në Kuvend.

Nga partitë opozitare vazhdimisht është paralajmëruar inicimi i një mocioni mosbesimi për rrëzimin e qeverisë Haradinaj, duke lënë të kuptohet se është vetëm çështje kohe se kur një mocion i tillë do të dorëzohet në Kuvend, shkruan lajmi.net.

Gjatë ditës së djeshme, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka paralajmëruar se janë dy mundësi për zgjidhjen e kësaj situate, duke përfshirë formimin e një qeverie teknike apo mocionin e mosbesimit.

Beqiri ka thënë se në të dy rastet e përmendura nga ai, duhet koordinim dhe bashkëpunim me subjektet e tjera opozitare dhe jo opozitare, dhe se për një vendim të tillë do të vendoset më vonë në partinë e tij.

“Në të dy rastet duhet koordinim dhe bashkëpunim me subjektet tjera opozitare dhe jo opozitare. Por kur mund të ndodhë kjo, nuk mund ta them ende, sepse për këtë vendosin organet vendimmarrëse të LDK-së”, ka thënë Beqiri për lajmi.net.

Beqiri shton se kryesia e LDK-së do të mblidhet gjatë kësaj jave, për të shqyrtuar të gjitha opsionet dhe kohën më të përshtatshme për zgjedhje të reja, mirëpo siç thotë ai pa u vonuar shumë.

“Besoj se gjatë javës do të mblidhet Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndoshta menjëherë nuk do të vendosim, por gjithsesi do t’i shqyrtojmë të gjitha opsionet e mundshme, që kur vlerësohet se është koha më e mirë për zgjedhje të reja. Mirëpo pa u vonuar shumë”, deklaroi Beqiri.

Ndryshe, pas rastit të arrestimit të drejtorit të ashtuquajturës zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, që rezultoi me dalje nga koalicioni qeverisës të Listës Serbe, ka pasur qëndrime të ndryshme se nëse duhet të vazhdohet me këtë qeveri dhe përmbushjen e detyrave, apo shpalljes së zgjedhjeve të reja në vend.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme