Deputeti i LAA-së, Haxhi Avdyli, thotë se është turpëruar me qëndrimin e Teuta Rugovës, të bijës së presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, me votimin e saj pro shtyrjes së seancës konstituive.
Rugova, që ishte ndër emrat më të përfolur se mund të votojë pro koalicionit PAN për kryetar të Kuvendit dhe pro qeverisë Haradinaj, sot ishte deputetja e vetme shqiptare jashtë koalicionit PAN që votoi pro shtyrjes së seancës.
Avdyli përmes një “selfie” me bustin e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova ka thënë se sot janë skuqur nga dora e ngritur e Teuta Rugovës.
“Një dorë e ngritur sot në Kuvend, na bëri të skuqemi nga turpi”, ka shkruar ai.
Seanca konstituive e Kuvendit është mbyllur nga kryesuesi Adem Mikullovci pasi që rezultati për shtyrje të saj doli 60 pro dhe 60 kundër. Edhe pse me këtë rezultat, propozimi u hodh poshtë, PAN-i refuzonte të jepte emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit, dhe më pas Mikullovci e shpalli të mbyllur seancën.