Deputeti Reçica e quan “çun” ministrin Murati, i kërkon të mos bëjë politikë me një shkollë në Ferizaj

Prishtinë | 17 Dhj 2021 | 15:39 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës nga Ferizaj, Elmi Reçica, është ankuar se Vetëvendosje po tenton të bllokojë projektet e kryetarit të këtij qyteti, Agim Aliu, konkretisht ndarja e mjeteve për restaurimin e shkollës fillore “Gjon Serreçi”.

“Veç desha ta sqaroj. Kryetari i Komunës së Ferizajt e ka një projekt tjetër atje dhe nuk është çështja që të restaurohet ajo shkollë, ajo shkollë duhet të rrënohet dhe të ndërtohet e re. Kjo është një kleçkë. Ka projekt të ri dhe nuk mund të restaurohet ajo shkollë”, ka thënë Reçica.

Ai i bëri komentet në seancën ku po bëhet shqyrtimi i dytë i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022.

Pas kësaj ankese ka reaguar ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili vjen po ashtu nga Ferizaj.

“Projekti që u përmend nga deputeti Reçica për rrënimin e shkollës ka ardhur si rezultat i betonimit rreth shkollës me ndërtesa nga vetë Komuna. Për t’iu krijuar hapësirë atyre, qëllimi i kryetarit është që të rrënohet shkolla për të ia siguruar parkingun”, tha Murati.

E pas kësaj deklarate ka reaguar sërish Reçica duke i thënë ministrit që të mos merret me politikë sepse është një çun i ri.

“Nuk po bëjmë këtu politikë dhe ministri si çun i ri është mirë të mos bëjë politikë me këtë çështje.”, tha ai.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i ka kërkuar deputetit Reçica të ketë kujdes me fjalorin ndaj një ministri.

Të ngjashme