Doarsa Kica Xheli, deputete e Listës Guxo brenda grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë të enjten në një prononcim për Gazetën Express se në parim nuk është kundër Byrosë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajusfikueshme, por ka abstenuar ndaj këtij projektligji për shkak të procedurës në të cilën ka ardhur projektligji deri në Kuvend.
Kuvendi i Kosovës të enjten e kaluar në parim projektligjin për Byronë Shtetërore.
Njëjtë si deputetja Kica-Xheli, ka abstenuar edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili më 24 shkurt të këtij viti e kishte çuar në Komisionin e Venecias këtë projektligj, pas kritikave të opozitës që projektligji është kundër frymës së kushtetutshmërisë.
E pikërisht vërejtjet pasuese të Komisionit të Venecias ndaj këtij projektligji e kanë bërë që deputetja Kica-Xheli të abstenojë.
“Pra arsyeja pse unë kam abstenu është se kuvendi nuk do të duhej të kalonte në shqyrtim të parë as një projektligj për të cilin ne kemi dyshimet tona në raport me respektimin e të drejtave të njeriut”, ka thënë deputetja.
Megjithatë, ajo beson se Ministrja e Drejtësisë dhe Komisioni për Legjislacion do ta bëjnë maksimumin që të merren parasysh sugjerimet e Komisionit të Venecias para se projektligji të hidhet në votim për herën e dytë.
“Projektligj duhet të bëhet kur ne jemi të bindur në kushtetutshmërisë e tyre”, ka deklaruar ajo.
Komisioni i Venecias kishte hedhur një mori kritikash në përmbajtjen e projektligjit, pikërisht duke iu referuar shkeljes potenciale të të drejtave të njeriut.
E opozita këtë projektligj e ka parë si një sfidim për sistemin e drejtësisë.
Gjatë seancës së 24 shkurtit, kur ishte diskutuar për Byronë, opozita kishte kërkuar që kjo njësi ta kishte një drejtues që votohet nga mbi 80 deputetë të Kuvendit të Kosovës.
E Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë të enjten e 14 korrikut se “është vullnetar që t’i verifikohet pasuria, atij dhe deputetëve të LDK-së”, përkundër se opozita e ka kritikuar formimin e këtij njësiti.