Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Labinotë Demi – Murtezi e ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë për masat e reja anti-Covid.
Në seancën e sotme të Kuvendit, Demi – Murtezi kujtoi se veçantia e kërkesës së dy dozave të vaksinës dhe një test PCR çdo 48 orë për të hyrë në Kosovë, ka shkaktuar shumë reagime dhe një protestë.
“Është e veçantë kërkesa e dy dozave të vaksinës dhe testi PCR për qytetarët tjerë që janë jashtë Kosovës brenda 48 orëshit të fundit. Kjo masë ka prekur në masë të madhe qytetarët që jetojnë sidomos në zonat afër kufirit me Kosovën, me ç’rast patëm protestë në Kukës, kërkesë nga ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Dr. Bekim Sali, për rishikim të masave nga Qeveria e Kosovës, si dhe po ashtu kërkesën e kryetares së Komunës së Preshevës, zonjën Ardita Sinani, gjithashtu për rishikim të masave”, tha ajo.
Deputetja thotë se qytetarët që e frekuentojnë Kosovën çdo ditë, nuk po reagojnë pa arsye.
“Sot kur po diskutojmë për gjendjen në Kosovë dhe vendet përreth, ndalemi dhe mendojmë; a janë këto personalitete dhe këta qytetarë për neglizhim të situatës duke kërkuar rishikim të masave? Jo. Pse po reagojnë ata dhe pse po shqetësohemi ne? Sepse qytetarët e këtyre vendeve e frekuentojnë Kosovën në baza ditore dhe testimi i tyre për të ardhur për nevojat dhe punët e tyre në Kosovë çdo ditë brenda javës, i obligon ata minimum për tri herë testim brenda javës”, tha ajo.
Demi – Murtezi përmendi rastin e një doktori që nga Lugina e Preshevës vjen në Gjilan për punë, duke theksuar se mundësia është që vitusin ta transmetojnë edhe kolegët e tij nga Kosova, të cilët nuk janë të detyruar as të vaksinohen e as të testohen.
Ajo i kërkoi ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi që t’i rishikojë këto masa.
“I nderuar ministër, një deklarim që ka pasur para dy ditësh në faqen e saj zyrtare Ministria e Shëndetësisë se do t’i rishikojë masat, shpresoj shumë që t’i ketë parasysh edhe këto ndërhyrje për lehtësim të qarkullimit të qytetarëve që nuk janë të Kosovës me dokumentacion, por janë çdo ditë mes nesh, ngase punëtorët shëndetësorë që vijnë sidomos nga Lugina e Preshevës, nga Kosova Lindore, janë me neve për ta luftuar bashkë me ne pandeminë”, tha Demi – Murtezi.