Deputetja e PDK-së: Hoti të raportojë në Kuvend, s’kemi asnjë informatë rreth takimit në SHBA

Prishtinë | 26 Gus 2020 | 19:13 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka kërkuar nga kryeministri Hoti që të raportojë në Kuvend në lidhje me takimin që pritet të ndodhë më 4 shtator në Ëashington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ajo mes tjerash u shpreh se deputetët nuk e kanë asnjë informatë zyrtare në lidhje me këtë çështje dhe se sipas saj, kryeministri raportimin e ka obligim ligjor.

“Unë jam autorja e kësaj kërkese. Është shqetësuese që ne nuk kemi asnjë informatë zyrtare nga kabineti i kryeministrit. Kjo është e rëndësishme për të ardhmen e shtetit tonë dhe kryeministri duhet të raportojë ashtu si e ka edhe obligim ligjor”.

“Nuk kam biseduar me shefin e grupit parlamentar, por është e më e rëndësishme që të kemi një seancë që të informohemi, se sa që është koha e pushimeve”.

“Është e rëndësishme që të kemi një raportim të kryeministrit para se ai të udhëtojë në SHBA. Ai është zotuar edhe vet që do të raportojë në Kuvend para dhe pas takimeve. Vetëm ia kam kujtuar kryeministrit që kjo është përgjegjësi ligjore e tij”.

“Tani është shumë vonë që të ketë koordinim mes partive, për një takim që do të ndodhë javën e ardhshme”.

“Është vonë që në atë takim të ketë përfaqësues të partive opozitare, sepse ne duhet ta dimë strategjinë e temat që do të diskutohen, ndërsa ne nuk kemi informatë për temat që do të zhvillohen dhe kjo është arsyeja që kryeministri duhet të vijë e të raportojë”.

Të ngjashme