Feronikeli nuk ka arritur të rrisë diferencën e pikëve në krye të renditjes, e as Prishtina nuk ka arritur të ngushtojë diferencën me liderin. E barazimi 1:1 ndërmjet skuadrës së parë në tabelë dhe të dytës, të mërkurën, shkoi në favor të skuadrës së tretë – Llapit.
Tash skuadra llapjane pas fitores që shënoi po të mërkurën ndaj Gjilanit 1:0 është barazuar me pikë me Prishtinën në vendin e dytë. Të dyja skuadrat i kanë nga 44 pikë, pesë më pak se Feronikeli që vazhdon të kryesojë, shkruan sot Koha Ditore.
Kësisoj vlerësohet se garës për titull i është ribashkuar Llapi që për një moment u nxor nga loja, të paktën nga rivalët e tij.
E derbi i luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri” ndërmjet Prishtinës dhe Feronikelit “ishte i nxehtë”, siç ishin edhe ditët para kësaj përballjeje, ku pati akuza e fyerje mes këtyre dy skuadrave, por edhe nga Llapi që në fakt nisi gjithë “fushatën” me akuza ndaj Prishtinës dhe Federatës së Futbollit të Kosovës.
Në ndeshje pati dy gola, por edhe shumë raste nga njëra e tjetra skuadër. Në fund rezultati ishte baras 1:1.