Në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, të dielën në ora 15:00, do të zbarkojnë nënkampionia dhe kampionia në fuqi e elitës së futbollit tonë.
Prishtina do të luajë kundër Dritës në xhiron e 17-të, që është edhe e fundit e sezonit vjeshtor dhe kryendeshja e fundjavës, transmeton KTV.
“Bardhekaltrit”, fituesit e Kupës së Kosovës, kanë përballë kampionen në fuqi Dritën, e cila e fitoi edhe Superkupën e Kosovës pikërisht ndaj kryeqytetasve.
Prishtinasit nuk dinë për fitore në pesë ndeshjet e fundit ndaj gjilanasve, me bilanc prej tri humbjeve e dy barazimeve.
Madje, titullin Drita e fitoi pikërisht në ndeshjen vendimtare kundër Prishtinës sezonin e kaluar, ndeshje e cila përfundoi 0:0 në Pejë.
Fitorja eventuale e Prishtinës do ta mbante atë në krye të tabelës dhe do ta shpallte kampione të sezonit vjeshtor, derisa Dritës, e cila zë pozitën e pestë në tabelë, i duhet trepikëshi në mënyrë që të hyjë në luftë për titull dhe ta mbrojë atë.
Humbja e fundit sivjet e Prishtinës në Superligë ishte pikërisht nga Drita dhe që nga ajo ndeshje “Bardhekaltrit” nuk dinë për humbje në 10 takimet e fundit, me dy barazime e tetë fitore. Barazimi i fundit ishte ai pa gola ndaj Ferizajt.
Drita, nga ana tjetër, ka pasur formë të luhatshme në javët e fundit. Pati pesë fitore të njëpasnjëshme por, më pas, pësoi dy humbje rresht dhe barazimi i javës së kaluar me Feronikelin 1:1.
Gjyqtar kryesor i këtij dueli do të jetë Selim Isufi, me asistentët Besnik Morina e Alban Ejupi, si dhe gjyqtar i katërt, Leutrim Mustafa.
Në duelet tjera, të cilat zhvillohen prej orës 13:00, veçohet edhe takimi mes Feronikelit të vendit të dytë dhe Flamurtarit të vendit të gjashtë në tabelë.
Llapi i vendit të tretë e pret Lirinë që pozicionohet e 10-ta, aktualisht në zonën e barazhit, Gjilani e pret Ferizajn, Drenica takohet me KEK-un, ndërsa Trepça ’89 me Ballkanin.