Mbreti Salman i Arabisë Saudite, 84 vjeç, është dërguar në një spital në kryeqytetin Riad për shkak të inflamacionit në fshikëzën e tëmthit, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, SPA.
Lideri që e ka udhëhequr shtetin e njohur për eksportim të naftës që nga viti 2015 është duke iu nënshtruar kontrolleve mjekësore, raportoi kjo agjenci, pa dhënë hollësi të tjera.
Mbreti Salman për më shumë se dy vjet kishte shërbyer si princ dhe zëvendëskryeministër nga qershori i vitit 2012 para se të vendosej në pozitën më të lartë të shtetit. Ai gjithashtu ka shërbyer si guvernator i rajonit të Riadit për më shumë se 50 vjet.
Pasardhësi i tij në pushtet është princi Mohammed bin Salman, i cili i ka nisur reformat për transformimin e ekonomisë dhe largimin nga varësia prej shitjes së naftës, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.
Princi 34-vjeçar, i cili është i popullarizuar në mesin e të rinjve, është vlerësuar lart për lehtësimin e kufizimeve sociale në mbretërinë konservatore, duke u dhënë më shumë të drejta grave dhe duke u zotuar për ta bërë ekonominë më të llojllojshme.
Megjithatë, kontrolli shtetëror ndaj mediave dhe shtypja e atyre që nuk janë të kënaqur vazhdojnë ta lënë vendin nën shënjestrën e kritikave ndërkombëtare.