Më shumë se 550 persona kanë dorëzuar aplikacionet për verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, që nga muaji shkurt kur edhe ka filluar ky proces, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës. Ky numër, konsiderohet i vogël krahasuar me shifrën prej 20 mijë viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit, që prezantohet nga institucionet dhe organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të kësaj kategorie.
Procesi i verifikimit është i domosdoshëm për të përfituar beneficionet me ligj të krijuara për këtë kategori.
Sipas ligjit, viktimë e dhunës seksuale të luftës është personi i cili i ka mbijetuar abuzimit seksual dhe dhunimit brenda periudhës së 27.02.1998 deri më 20.06.1999. Viktima të dhunës seksuale gjatë luftës janë si femrat ashtu edhe meshkujt, ndonëse numri më i madh i tyre i takon gjinisë femërore.
Minire Begaj, kryetare e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, tregon për Radion Evropa e Lirë se nga numri i përgjithshëm deri më tani janë trajtuar 218 raste, kurse 45 viktima tashmë kanë pranuar benificionet e njohura me ligj.
“Për njohjen e statusit kanë aplikuar 557 raste, prej tyre 113 e kanë përfituar statusin e personave të dhunuar gjatë luftës, 85 janë refuzuar, rreth 20 lëndë i kemi në procedurë, pra jemi duke pritur dokumente shtesë. Ndërsa prej numrit të përgjithshëm, 45 raste i kemi proceduar për pagesa, dhe unë besoj se i kanë marrë mjetet financiare të pensionit në mënyrë retrokative nga momenti kur kanë aplikuar”, tha Begaj.
Ajo tregon se nga numri i përgjithshëm deri më tani janë trajtuar 218 raste, 113 deri më tani kanë marrë statusin e viktimës se dhunës seksuale, 108 nga to janë të gjinisë femërore, kurse 5 të gjinisë mashkullore.
“Nga ky numër, 14 meshkuj kanë aplikuar, pesë prej tyre u është njohur statusi i personave të dhunuar gjatë luftës, kurse shtatë të tjerëve u është refuzuar. Ndërsa prej femrave, 204 i kemi trajtuar, 108 u është njohur statusi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës, ndërsa 78 të tjerave u është refuzuar ky status”, thekson tutje Begaj.
Në bazë të ligjit, atyre që u njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës, përfitojnë benificione personale prej 230 euro në muaj.
Në procesin e aplikimit të viktimave të dhunës seksuale po ndihmon edhe Qendra për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës.
Feride Rushiti, drejtoresh ekzekutive në këtë qendër thotë për Radion Evropa e Lirë, se interesimi për të aplikuar është në rritje e sipër.
Por, Rushiti thotë se edhe 20 vjet pas përfundimit të luftës, ende viktimat e dhunës vazhdojnë të heshtin për shkak të stigmatizimit nga shoqëria.
“Edhe 20 vjet pas luftës, disa nga viktimat heshtin, ende paragjykohen për një krim për të cilin ato nuk kanë qenë fajtore. Prandaj, në këtë drejtim do të organizojmë një fushatë dyvjeçare me idenë që të adresohet stigma dhe kultura paragjykuese në raport me këtë grup të të mbijetuarve të dhunës seksuale”, tha Rushiti.
Në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore në mënyrë që personave të kësaj kategorie t’u rregullohet statusi dhe të marrin pensionin që u takon me ligj.
Ky krim ka qenë me vite të tëra temë tabu në shoqërinë e Kosovës për shkak të paragjykimeve se dhuna seksuale është turp për familjen dhe shoqërinë. Në këtë mënyrë shumë nga viktimat kanë heshtur.
Çështja e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës u riaktualizua në kohën e presidentes Atifete Jahjaga, e cila për ta ndihmuar këtë kategori të shoqërisë, krijoi Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale, të cilin e udhëhoqi vetë.
Ndryshe, në raportet e organizatave ndërkombëtare disa herë është kërkuar drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë./rel