Seleksionuesi i Francës, Didier Deschamps ka insistuar se Paul Pogba duhet të rrisë nivelin e lojës, pasi ylli i Manchester Unitedit është përballur me më tepër kritika pas paraqitjes jo të mirë të premten mbrëma.
Pogba u fishkëllye nga tifozët francezë, kur u zëvendësua me Steven N’Zonzin në pjesën e dytë në fitoren 3:1 të Francës në miqësore ndaj Italisë në Nice.
Mesfushori 25-vjeçar ka përjetuar një periudhë të vështirë në fund të stinorit dhe përkohësisht kishte humbur vendin edhe te Unitedi nën drejtimin e Jose Mourinhos, shkruan “Daily Mail”. Ai po ashtu ishte lënë në bankinë kur Franca pësoi nga Kolumbia në muajin mars.
Deschamps thotë se Pogba është shumë i rëndësishëm për Francën, por pranon se ai duhet të përmirësohet shpejt për të ndihmuar “trekolorët” në Kupën e Botës në Rusi.
“Jo çdo gjë ka qenë e suksesshme, por ai ka ndihmuar skuadrën të jetë mirë e organizuar. Unë nuk vë në pyetje potencialin e Paulit. Po e ftoj atë pasi është i pazëvendësueshëm për mua. E di se çfarë është në gjendje të bëjë. Ai duhet të rrisë nivelin e lojës. Unë kam besim në të siç kam te lojtarët e mi të tjerë”, ka deklaruar Deschamps për “Telefoot”.
Bashkëlojtari i Pogbas, Antoine Griezmann po ashtu i ka dalë në mbrojtje yllit dhe ka thënë se Pogba duhet të mbetet i fortë gjatë kësaj serie jo të mirë.
“Fishkëllimat janë pjesë e futbollit dhe ai duhet të qëndrojë i fortë mentalisht. Ne të gjithë po luajmë me fanellën e njëjtë. Ai po luan lojën e vet, jeni mësuar të shihni duke shënuar gola. Ne nuk presim atë nga ai, presim vetëm që të qarkullojë topin dhe të luajë për skuadrën. Ai pati një stinor të vështirë te Manchester Unitedi, por ka shumë besim në vete”, ka thënë Griezmann.
Franca do të përballet me SHBA-në në miqësoren e fundit përgatitore për Kupën e Botës të shtunën e ardhshme, para se të nisë Botërorin në Rusi kundër Australisë më 16 qershor.