Dëshira e Besnik Bislimit për t’u dukur superior

Prishtinë | 06 Pri 2023 | 11:31 | Nga Doarsa Kica Xhelili

Sot, kryenegociatorin e dialogut, Besnik Bislimi, e kishim në Komision për Punë të Jashtme për raportim.

Nuk do të flas aq për mbarëvajtjen e mbledhjes dhe jo vetëm pse qëllimshëm kjo mbledhje u caktua të mbahet para seancës, që të kishim më pak se një orë raportim. Prandaj as nuk supozova që do të ketë përmbajtje.

Ajo që dua ta them, megjithatë, ka të bëjë me mënyrën e mendimit të tij. Mendësinë. Me atë se si ai (nuk) i kupton, sheh, dëgjon, analizon dhe argumenton me deputëtët e Kuvendit, në veçanti të opozitës.

I parashtrova 2 pyetje dhe po ju kursej nga detajet në këtë pjesë. ***

Dhe përgjigja e tij nuk ishte përgjigje. Të them të drejtën s’jam e sigurt çka ishte.

Ai mori pyetjet e mia, i ristrukturoi dhe parafrazoi sipas dëshirës së tij për t’u dukur superior karshi përmbajtjes, karshi asaj që në të vërtetë e pyeta për fusnotën, për GJND-në, për parimet ndërkombëtare. I parafrazoi sipas dëshirës e pastaj i përqeshi, me një vetëknaqësi të jashtëzakonshme. I përqeshi pra mendimet e tij, jo të miat. I përqeshi ato që mundi t’i përqesh, sepse me gjasë të përgjigjet nuk mundi. Apo nuk deshi sepse është i vetëdijshëm që e demanton atë që e tha pak më parë? Nuk e di.

Por di që ky është kryenegocitatori i Kosovës për dialog. I Kosovës që është edhe e imja, e jo veç e tij.

Një kryenegociator që nuk dëgjon që të kuptojë e të përgjigjet, por bëhet sikurse dëgjon teksa mendon si të kundërpërgjigjet. Pra përmbajtja për të nuk është e rëndësishme. As qartësia. E rëndësishme është ndjesia e superioritetit.

Afirmimi që ka nevojë t’ia bëj vetes se është i tillë. Dhe sado paradoksale, do të isha absolutisht e lumtur nëse ky superioritet të shpërfaqej karshi Serbisë. Atë do ta quaja triumf edhe për mua, e do ta kishte mbështetjen e parezervë. Një superioritet përmbajtësor, por jo superioritet përçmues pa përmbajtje sepse kjo i shkon për shtat vetëm palës tjetër.

Dhe teksa e shkruajta këtë tekst, mu kujtua sociologu Charles Derber, i cili tiparin e tjetërsimit të një bisede dhe kthimit të saj te vetvetja e quante narcisizëm bashkëbisedues.


Pyetja e parë ishte që ta sqaroj kuptimin e tij për diferencën mes referencës së Kosovës si shtet që nuk njihet por me legjitimitetin e GJND-së një një anë, dhe Kosovës si shtet që nuk njihet pa referencë të GJND-së fare. Pra, Kosovës së njëjtë që vazhdon të jetë në Kushtetutë të Serbisë, minus GJND-ja dhe 1244. Pra pyetje konkrete – dhe aspak me tendencë sa për të kuptuar si e kupton ai marrëveshjen që ka para vetes.

Tjetra pyetje kishte të bënte me parimin e Namibisë nga e drejta ndërkombëtare që edhe shteteve jolegjitime ja njeh të drejtën e njohjes së simboleve, dokumenteve etj.

Të ngjashme