Dështimet e dy dekadave

Prishtinë | 14 Qer 2019 | 08:20 | Nga Ekonomia Online

Shkalla e lartë e papunësisë dhe e varfërisë, ngecjet në sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë, mosshuarja e strukturave paralele në veri, mosliberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian vlerësohen dështimet kryesore të institucioneve të Kosovës në dydekadëshin e çlirimit, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

12 qershori i këtij viti ka rrumbullakosur dydekadëshin e çlirimit të Kosovës. Por edhe tash kur kanë kaluar 20 vjet nga Dita e Lirisë, qytetarët e Kosovës po vazhdojnë të ballafaqohen me probleme të shumta duke u nisur nga shkalla e lartë e papunësisë e deri te izolimi.

Përgjatë këtyre 7300 ditëve institucionet e Kosovës nuk ia kanë dalë të krijojnë mirëqenie të duhur për qytetarët.

As sektori i arsimit e as ai i shëndetësisë sipas njohësve të fushave përkatëse nuk kanë arritur progres të mjaftueshëm gjatë kësaj periudhe kohore, shkruan më tutje Gazeta “Zëri”.

Pos këtyre, krerët institucionalë të Kosovës nuk kanë arritur t’ua mundësojnë qytetarëve lirinë e lëvizjes – liberalizimin, ndonëse një gjë të tillë kishin nisur ta premtonin menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Kosovarët po vazhdojnë të jenë banorët e vetëm të Ballkanit Perëndimor që nuk gëzojnë të drejtën për të dalë jashtë vendit pa viza.

Të ngjashme