Mosheqja e vizave, mosanëtarësimi në INTERPOL e rezultati i dobët në PISA janë vetëm disa prej dështimeve, me të cilat u ballafaqua Kosova gjatë 2019-s.
Më 6 tetor qytetarët votuan për ndryshim, duke e ndëshkuar pushtetin e deriatëhershëm dhe duke e nxjerrë fituese opozitën. Por dy partitë që menjëherë pas zgjedhjeve nisën negociatat për bërjen e qeverisë, LVV-ja dhe LDK-ja, ende nuk kanë arritur një marrëveshje finale.
Edhe viti 2019, sikurse vitet paraprake, po ikën pa ndonjë ndryshim të madh në Kosovë. Pa ndonjë përmirësim të dukshëm në aspektin social, arsimor, ekonomik e shëndetësor. Pa lajme pozitive rreth liberalizimit e njohjeve të reja për Kosovën. Ani pse në vazhdimësi gjatë 2019-s nga liderët shtetërorë u premtua heqja e vizave, një gjë e tillë nuk ndodhi.
Rrjedhimisht, qytetarët do të vazhdojnë t’i dëgjojnë zotimet e njëjta, që përsëriten tash e një dekadë. 2019-a u karakterizua edhe me një diplomaci të dobët, e cila dështoi të sjellë njohje të reja në drejtim të Kosovës. Si rrjedhojë e këtyre dështimeve partitë që ishin në opozitë gjatë legjislaturës së gjashtë, LDK-ja e LVV-ja, në vazhdimësi paralajmëruan rrëzimin e qeverisë, shkruan Zëri.
Por fundin e qeverisë e përcaktoi vetë kryeministri Ramush Haradinaj, i cili në muajin korrik, pa kurrfarë paralajmërimi, dha dorëheqje nga pozita që mbante. Ky vendim i tij erdhi pas ftesës për intervistim, që mori nga Gjykata Speciale. Si pasojë e kësaj në fillim të tetorit vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme, me ç’rast Vetëvendosja doli partia fituese.
Menjëherë pas zgjedhjeve LVV-ja nisi negociatat për të arritur marrëveshje për bashkëqeverisje me LDK-në, e cila u rangua subjekti i dytë. Por marrëveshje nuk ka ende, pavarësisht faktit që deputeti i LVV-së Glauk Konjufca tashmë është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës.