Agresioni i Banjskës para një viti ishte fitore e policisë dhe strukturave të sigurisë, por dështim kolosal i diplomacisë, sepse nuk ndodhi ndëshkimi i Serbisë si përgjegjëse e agresionit, por ndodhi e kundërta – izolimi dhe sanksionimi i Kosovës.
Kosova mbeti jo vetëm nën sanksione, por edhe u largua nga partneriteti me aleatët perëndimorë, duke ia mundësuar Serbisë një afrim dhe rikthim në Perëndim.
Serbia sot është më e përkëdhelur se para sulmit të Banjskës, ndërsa qeveria e Kosovës, që kishte premtuar se nuk do të kishte dialog pa dorëzimin e kryerësve të Banjskës, diskuton sot me Beogradin në Bruksel për kufijtë e komunave të Kosovës dhe për urën e Ibrit.
Një vit respekt për policinë dhe strukturat e sigurisë, si dhe aleatët që i përkrahën ata, e rikujtim për fiaskon diplomatik që po përjeton Kosova: atë që policia e Kosovës e arriti në terren, si një fitore të mirëfilltë historike, diplomacia e shndërroi në humbje strategjike.