Garuesit e Kosovës kanë vazhduar me paraqitje të dobëta në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj “Baku 2019”. Të mërkurën është eliminuar edhe shpresa më e madhe e Kosovës për medalje, xhudistja Erza Muminoviq. Ajo humbi në meçin e parë, ndërkohë që prej saj pritej të mbërrinte në podium.
Kjo ka nxitur trajnerin e xhudos, Driton Kuka, të reagojë ashpër. Ai ka thënë se prej gjithsecilit duhet të kërkohet përgjegjësi. Ka shtuar se edhe ai do të marrë hisen e përgjegjësisë që i takon. Por ka ftuar edhe zyrtarët e sporteve të tjera për përgjegjësi e analizë të thellë për këtë dështim, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas tij, shkuarja në ngjarje të mëdha sa për të bërë foto është e papranueshme.
E derisa ai ka pranuar me zemërim rezultatet e xhudistes së tij, Federata e Notit dhe Atletikës janë shprehur të ngazëllyera me rezultatet e arritura, ndonëse sportistët e këtyre federatave kanë përfunduar të fundit, ose të parafundit në kategoritë e tyre.
Noti e Atletika janë mburrur me rekordet e Kosovës të thyera në Baku.