Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, nuk ka raportuar në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, raporton Ekonomia Online.
Mosardhjen e tij në këtë komision, ministri Tahiri e ka arsyetuar me agjendën e ngarkuar të tij.
Kryesuesja e Komisionit, Albulena Haxhiu, tha se Tahiri duhet ta ketë primare Komisionin e më pas aktivitetet e tjera.
Ajo tha se prapë do t’i dërgohet ftesë Tahirit dhe të raportoj edhe për çështjen e fundit në lidhje me rekrutimin e noterëve.
“Për çështjen e skandaleve të fundit me rekrutimin e noterëve të rinj që shumica ishin familjar, miq e partiak të ministrit të Drejtësisë edhe punonjësve të kësaj ministrie, prandaj ne nuk mund të heshtim në këtë situatë dhe ka pasur kërkesa që ky vendim të kthehet në pikën zero dhe është papërgjegjësi karshi komisionit sepse asnjë agjendë nuk është e rëndësishme se sa komisioni. Të martën e ardhshme të ftohet prapë ministri dhe të diskutohet edhe për çështjen e noterëve”, tha ajo.
Haxhiu në pajtim me anëtarët tjerë u dakorduan që pika e pika e 3-të dhe 6-të të largohet nga rendi i ditës.
Komisioni ka miratuar raportin me amendamente të Komisionit Funksional për Projektligjin për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja.
Komisioni ka shqyrtuar vërejtjet dhe kërkesat e bashkëpunëtorëve profesional në lidhje me Draft Rregulloren për përzgjedhjen, emërimin, të drejtat dhe detyrimet e bashkëpunëtorëve profesional.
Haxhiu tha se është paraparë që secili gjyqtarë e prokuror të ketë bashkëpunëtorë profesional, por pagat e tyre parashihen të jenë të ulëta dhe se për këtë do kërkohet një takim me KGjK-në në lidhje me këtë.
“Secilit gjyqtarë e prokurorë me ia bë një bashkëpunëtor profesional dhe me ligjin e pagave dhe me rregulloren e KGjK-së nuk shihet një rritje e pagës së bashkëpunëtorëve profesional në krahasim me gjyqtarët e prokurorët diferenca është 5 me 1”, tha Haxhiu.
Haxhiu tha se disa nga anëtarët e komisionit do të takohen me KGjK-në në lidhje me kërkesat e bashkëpunëtorëve profesional.
“Komisioni mund t’ i shkruaj KGjK-së nëse është e domosdoshme të takohemi me ta dhe të mos degradohen bashkëpunëtorët profesional”, tha ajo.
Deputeti Korab Sejdiu tha se Kuvendi nuk ka drejtë të ndërhyj në hartimin e rregulloreve të KGjK-së.
“Nuk e di si mundet KGjK-ja me rregullore me ndryshu një ligj të Kuvendit, duhet të kemi kujdes që çështja e hartimit të rregulloreve të KGjK-së nuk është kompetencë e Kuvendit, por e KGjK-së”, tha Sejdiu.
Anëtari, Sami Kurteshi, tha se nuk po kuptohet roli i bashkëpunëtorëve profesional që në të ardhmen ata mund të jenë gjyqtarë dhe prokurorë dhe se numri i lëndëve të pazgjidhura do të jetë më i reduktuar.