Detaje që s’u zbuluan kurrë: Bujar Bukoshi ishte intervistuar nga Specialja, ishte pyetur për Thaçin

Prishtinë | 31 Mar 2022 | 17:50 | Nga Ekonomia Online

Avokati i ish-presidentit Thaçi në Hagë, Gregory Keohe, ka dhënë detaje të paditura deri më tani në lidhje me intervistimin e disa figurave të njohura në Kosovë nga Prokurorët e Speciales.

Në një shkresë të Keohes të cilën e ka parë lajmi.net, ku ai ankohet për mos-zbulimin e materialeve shfajësuese nga Prokuroria e Speciales, përmendet emri i ish-kryeministrit të Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi.

Ky i fundit, sipas Keohes, ishte intervistuar nga Prokurorët e Speciales, mirëpo që Prokuroria nuk e ka zbuluar asnjë material apo shënime të intervistës së tij për mbrojtjen, shkruan lajmi.net.

Madje, në një moment, Keohe pretedon se intervista e Bukoshit ka përfunduar me pyetjen nga hetuesi i speciales: “Oh, ju duhet të jeni miq me Hashim Thaçin, apo jo?”.

Sipas Keohes, kjo pyetje sugjeron se Prokuroria e Speciales ka konsideruar se dëshmia e Bukoshit ishte shfajësuese.

“Për më tepër, Prokuroria nuk ka bërë të ditur asnjë deklaratë apo shënime të intervistës së z. Bujar Bukoshi, ish-kryeministër i LDK-së i Kosovës, të cituar nga Prokuroria në aktakuzën e saj. Mbrojtja është në dijeni se ai është intervistuar nga Prokuroria dhe se intervista e tij ka përfunduar me pyetjen e mëposhtme nga hetuesi i Prokurorisë” “Oh, ju duhet jeni miq me Hashim Thaçin, apo jo?” – Prokuroria me gjasë e konsideroi se dëshmia e tij ishte shfajësuese”, thuhet në shkresën e Keohes.

Përveç deklaratës së Bukoshit që mbrojtja thotë se Prokuroria e ka mbajtur të fshehur, janë edhe shumë deklarata dhe intervistime tjera për të cilat organi i akuzës akuzohet se qëllimisht nuk i ka zbuluar.

Sipas mbrojtjes, përveç që këto materiale kanë rëndësi për mbarëvajtjen e procesit, ato mund të ishin determinuese për lirimin nga paraburgimi të krerëve të UÇK-së.

Të ngjashme