E drejta dhe barazia jonë në arenën ndërkombëtare nuk validohen duke vepruar si aktor i vetëm e i izoluar – pa aleanca e pa miq.
E në rastin e Kosovës – kur e gjithë ekzistenca jonë shtetërore, ndërkombëtare, e territoriale varet nga aleatët e miqtë – domosdoshmëria e ndërveprimit me ta bëhet edhe më e theksuar.
Prandaj edhe ekziston DIPLOMACIA – si veprim shtetëror që ka mundësi të avancojë interesin shtetëror, amplifikojë te vërtetën e shtetit ndërkombëtarisht, të bindë të pabindurit, të kthejë armiqtë në miq – e të ndërtojë përkrahje globale për veprimet tona të drejta (e nëse e bën me kujdes e mjeshtri, edhe për veprimet ‘jopopullore’ mund të ndërtosh përkrahje).
Fatkeqësisht – rolin e diplomacisë dhe veprimit diplomatik e kemi parë kryesisht të eklipsuar viteve të fundit nga MPJ – shpesh edhe me vetëdëshirë përmes deklaratave e veprimeve të padobishme në disa momente kur roli i saj ishte vendimtar në komunikimin diplomatik me shtetet aleate.
Kështu, kemi lejuar që rrëfimin për të drejtën tonë t’a bëjë direkt dhe vetëm Serbia.
Nuk është asnjëherë vonë për reflektim, por padyshim që është vonë për kohën e mundësitë e humbura!