Në kërkesë “Z-Mobile” kërkon 972 mijë euro si dhe 534 mijë dollarë amerikanë në emër të shpenzimeve të procedurës së arbitrazhit. Kërkesa e bërë nga kompania “Z Mobile” (Dardafon) për njohje dhe ekzekutim të vendimit të arbitrazhit mban datën 7 mars 2017.
Edhe pse drejtues të Telekomit të Kosovës dhe “Dardafonit” (Z-Mobile) refuzuan të tregojnë të mërkurën se sa do të paguajë telekomi për shpenzimet e “Z-Mobile” në Tribunalin e Arbitrazhit Ndërkombëtar, KALLXO.com ka marrë vesh sa do të jetë kjo shumë.
Të mërkurën këto dy kompani u pajtuan që Telekomi i Kosovës të mos i paguajë “Dardafonit” shumën prej 32 milionë eurove, të cilën arbitrazhi e caktoi për mosrespektim të kontratës mes dy kompanive, por atë ditë u morën vesh që telekomi të paguajë shpenzimet e “Z-Mobile” në Tribunalin e Arbitrazhit Ndërkombëtar.
KALLXO.com ka siguruar kërkesën për njohje dhe ekzekutim të vendimit të arbitrazhit sipas së cilës “Z Mobile” kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë që ta obligojë Telekomin t’i paguajë shpenzimet e arbitrazhit.
Në kërkesë “Z-Mobile” kërkon 972 mijë euro si dhe 534 mijë dollarë amerikanë në emër të shpenzimeve të procedurës së arbitrazhit.
Kërkesa e bërë nga kompania “Z Mobile” (Dardafon) për njohje dhe ekzekutim të vendimit të arbitrazhit mban datën 7 mars 2017.
Por të mërkurën kur u njoftua nënshkrimi i marrëveshjes, përkundër pyetjeve të gazetarëve, kryeshefi i Telekomit të Kosovës Agron Mustafa dhe pronari i kompanisë “Dardafon” Blerim Devolli nuk pranuan të japin informacione për shumën që do t’i paguajë Telekomi kompanisë “Z Mobile” në emër të shpenzimeve në procedurën e arbitrazhit.
KALLXO.com ka kërkuar informacione nga kompania “Z Mobile” lidhur me shumën që kanë kërkuar nga Telekomi për shpenzime të procedurës së arbitrazhit por nuk ka marrë përgjigje lidhur me këtë shumë.
“Ashtu edhe siç deklaruam ne media palët janë dakorduar qe marrëveshja paraqet fshehtësi afariste. Shpenzimet do jenë transparente për palët dhe pranohen shpenzimet vetëm pasi që ato të dokumentohen. Në fund Telekomi është kompani publike dhe këto shpenzime do i paraqet në pasqyrat e saja financiare dhe me kohë do bëhen publike”, thuhet në përgjigjen e Z Mobile për KALLXO.com.
Në përgjigjen e “Z Mobile” nuk është dhënë asnjë informacion më shumë se pse shuma e shpenzimeve të arbitrazhit duhet të konsiderohet fshehtësi afariste, ndërsa pothuajse të gjitha mediat kanë raportuar në vazhdimësi për shumën e gjobës që vendimi i arbitrazhit e ka obliguar Telekomin e Kosovës t’i paguajë “Z Mobile”.
Gjithashtu edhe Agron Mustafa, kryeshef i Telekomit të Kosovës nuk dha ndonjë arsye specifike ditën kur njoftoi për marrëveshjen me “Z Mobile” se pse nuk bëri publike shumën që Telekomi i Kosovës si një ndërmarrje që ka aksionar Qeverinë e Kosovës është pajtuar t’i paguajë kompanisë “Z Mobile”.
Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe Telekomit të Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datën 16 janar 2009.
Si rezultat i kësaj marrëveshjeje, e cila parashihte si mjet për zgjidhjen e kontesteve arbitrazhin, Arbitrazhi pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare e obligoi Telekomin e Kosovës që t’i paguajë dëmin kompanisë “Dardafon”.
Ky vendim u bë përfundimtar pranë arbitrazhit më 9 dhjetor 2016.
Kompania “Dardafon” më 7 mars iu drejtua Gjykatës Themelore të Prishtinës për njohjen dhe ekzekutimin e vendimit, ndërsa lidhur me këtë çështje u caktua të mbahej seancë më 19 maj.
Në seancë nuk ishin të pranishëm përfaqësues të “Dardafonit”, ndërsa disa ditë më pas u njoftua arritja e marrëveshjes për pagesën e shpenzimeve që u tha se e shpëton telekomin nga falimentimi.