Dhjetë raste pozitive në testimet për Coronavirus në Kategorinë e Dytë të Anglisë

Prishtinë | 31 Maj 2020 | 12:34 | Nga Ekonomia Online

Dhjetë persona nga tetë klube të Kategorisë së Dytë të Anglisë (Championship) kanë dal pozitiv për koronavirus, në raundin e fundit të testimeve, shkruan Liga e Futbollit Anglez (EFL), njofton agjencia Reuters.

Në një deklaratë të EFL-së është thënë se 1058 lojtarë dhe anëtarë të stafit janë testuar në 24 klube të Kategorisë së Dytë të enjten dhe të premten.

“Ata lojtarë apo anëtarë të stafit që janë testuar pozitiv tash do të vetizolohen sipas udhëzimeve dhe vetëm ata që kanë rezultuar negativ do të lejohen të futen në kompleks stërvitor”, është njoftuar nga EFL-ja.

EFL-ja nuk ka treguar emrat e personave që kanë rezultuar pozitiv, por një nga ta është sulmuesi i Preston North End, Jayden Stockley. Stockley ka treguar se ka dal pozitiv dhe se është pa simptome.

Pos dhjetë rasteve pozitive në Championship, shtatë tjerë janë regjistruar në Kategorinë e Katërt (League Two).

Në Premier League në raundin e fundit të testimeve nuk është regjistruar asnjë rast me koronavirus.

Të ngjashme