Dhjetë udhëzimet e ish-ministrit Bajrami cilësohen si joligjore

Prishtinë | 30 Sht 2017 | 14:09 | Nga

Rreth dhjetë udhëzime administrative për çështje të ndryshme, të nxjerra gjatë mandatit të ish ministrit të arsimit, Arsim Bajramit, janë publikuar në gusht në ueb-faqen e Ministrisë së Arsimit. Udhëzimet që kanë hyrë në fuqi në data të ndryshme, nga njohës të arsimit dhe interpretues ligjorë po cilësohen si të paligjshme.

Publikimi i dhjetë udhëzimeve administrative më datën 23 gusht 2017 nga ish ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, në periudhën sa ishte ministër në detyrë, sipas njohësve ligjorë, proceduralisht është i paligjshëm.

Ish-kryesuesi i Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës, Nait Hasani, ka thënë për Radio Kosovën se ministrat në dorëheqje veç e përcjellin situatën dhe nuk nxjerrin udhëzime administrative, ligje apo vendime.

“Nxjerrja e udhëzimeve të cilat kanë rëndësi të veçantë për vendin, janë shkelje, sepse rrethanat tregojnë se një parlament i ri, ose cili është parlamenti i ri që krijohet, ai është i tillë që të përmirësojë gjendjen, pikërisht në zgjedhje kemi shkuar për shkak të rrethanave dhe ato kërkojnë plotësim dhe ndryshim, prandaj ai e ka bërë një shkelje ligjore. Mendoj që udhëzimet e tjera që i ka nxjerrë janë jo të rregullta, jo-fuqiplota, me plot të drejtë ministri i ri mund t’i anulojë”, tha Hasani.

Edhe njohësi i çështjeve arsimore, Halim Hyseni, tha se ish ministri Bajrami me këto vendime ka tentuar që t’i mbrojë interesat e caktuara ose të tij ose, siç i ka quajtur, “të klientelës” së vet.

Po ashtu, sipas Hysenit, me vendime të tilla duke punësuar njerëz pa nevojë po dëmtohet edhe buxheti i vendit.

“Udhëzimet administrative janë mënyra më e mirë e manipulimit dhe janë shndërruar në vrima të zeza, sepse janë mbi 1 mijë e 600 faqe, cili drejtor mund t’i lexojë, t’i përpunojë dhe t’i zbatojë të gjitha. Është budallallëk që veprohet vetëm te ne, kurrkund në botë nuk veprohet kështu”, tha Hyseni.

Mirëpo, vetë ish ministri, Arsim Bajrami, ka thënë se vendimet janë ligjore dhe kushtetuese deri në dorëzimin e detyrës.

“Deri në ditën kur e dorëzojnë detyrë, edhe ministri edhe kryeministri ka të drejtë kushtetuese dhe ligjore të nxjerrë vendime”, tha Bajrami.

Vendimet e miratuara kanë të bëjnë me numrin e profesorëve të rregullt për program studimi, të drejtën e zhvillimit të programeve studimore të cilat çojnë në kualifikim për mësimdhënës dhe rifitimin e kësaj të drejte, e cila bartësve privatë të arsimit të lartë u ishte ndaluar me Ligjin për Arsimin e Lartë etj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme