Reformimi i tregut të punës është një nga prioritetet e qeverive të Ballkanit Perëndimor, por sipas të dhënave, këto vende janë duke mbetur mbrapa mesatares së vendeve të Bashkimit Evropian.
Në Kroaci treguesit e produktivitetit të punës [raporti i Produktit të Përgjithshëm Bruto dhe orëve të shpenzuara] janë më të mira, por ato janë pa tendencë të rritjes. Bosnja dhe Hercegovina është duke mbetur prapa në vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe produktiviteti është në nivelin 31 për qind të mesatares së Bashkimit Evropian.
Sipas produktivitetit të punës, vendet e rajonit janë në mes të listës, publikuar nga agjencia e Kombeve të Bashkuara që promovon drejtësinë sociale, të drejtat e njeriut dhe të punës në nivel ndërkombëtar.
Në listën e 189 vendeve, publikuar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), përcjell Telegrafi, Kroacia është renditur më mirë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili gjendet në pozitën e 56-të. Në këtë pozitë, punëtori vitin e kaluar mesatarisht është paguar 54,598 dollarë në vit, që i bie të jetë 27 dollarë për orë.
Punëtorët në Mal të Zi u paguan mesatarisht 22 dollarë për orë, në Maqedoni 20 dollarë për orë, Bosnje dhe Hercegovinë me 18 dollarë për orë, Serbi me 13 dollarë për orë dhe Shqipëri me 12 dollarë për orë. Në këtë raport, nuk figuron Kosova.
Statistikat tregojnë se punëtorët në Shqipëri punojnë 42.9 orë në javë, që është 2,231 orë në vit. Përkundër një numri të lartë të orëve, punëtorët shqiptarë fitojnë më së paku në Evropë dhe janë në vendin e 99-të në listën botërore.
Kjo është lista e dhjetë vendeve më produktive në botë:
1. Irlanda, 83.1 dollarë për orë
2. Luksemburgu, 81.2 dollarë për orë
3. Norvegjia, 79.2 dollarë për orë
4. Belgjika, 64.6 dollarë për orë
5. Danimarka, 63.5 dollarë për orë
6. SHBA, 63.3 dollarë për orë
7. Holanda, 61.7 dollarë për orë
8. Franca, 60 dollarë për orë
9. Gjermania, 59.9 dollarë për orë
10. Zvicra, 58 dollarë për orë