Dhuna në familje po vazhdon të mbetet problem për shoqërinë kosovare. Vetëm gjatë 24 orëve në polici janë raportuar nëntë raste të tilla.
Qyteti i cili priu është Fushë-Kosova. Aty u lajmëruan tre raste të tilla.
Për dallim prej rasteve të zakonshme ku viktima janë gratë, nga 3 rastet e raportuara në Fushë-Kosovë, në dy prej dy viktima janë burrat.
Njëri nga banorët e këtij vendi, raportoi në polici se ish-gruaja e tij e ka kanosur dhe sulmuar fizikisht, pas një mosmarrëveshje lidhur me kujdesin ndaj fëmijës. E dyshuara është dërguar në mbajtje.
Një grua tjetër është shoqëruar në stacionin policor, nën dyshimin se e ka kanosur burrin e saj pas një mosmarrëveshje. Ky rast është proceduar në procedurë të rregullt.
Për dallim nga dy gratë e përmendura më lart, një tjetër grua pati punë me policinë. Por, ajo u trajtua si viktimë, dhe jo si e dyshuar. Ajo u ankua se burri i saj – shtetas i Shqipërisë, e ka ofenduar. I dyshuari u arrestua dhe pas intervistimit është liruar me procedurë të rregullt.
E një tjetër burrë u arrestua në Malishevë, pasi po dyshohet se i ka rrahur fëmijët e tij të mitur. Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari u dërgua në mbajtje.
Prangat iu vendosen edhe një burri në Klinë, pasi gruaja e tij raportoi në polici se ai e ka sulmuar fizikisht atë. I dyshuari u arrestua, dhe pas intervistimit është liruar me procedurë të rregullt.
Për dhunë ndaj gruas është dërguar në mbajtje edhe një person në Ferizaj.
Ndërsa në Mitrovicë, dy femra kanë njoftuar policinë se edhe pse kanë urdhër-mbrojtës, babi i tyre është duke i shqetësuar në vazhdimësi. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
E një mashkull në Istog, u ankua në polici se babai i tij kishte ushtruar dhunë psikike ndaj nënës së ankuesit, dhe i ka kanosur anëtarët e tjerë të familjes. I dyshuari është arrestuar dhe nga ai është konfiskuar një pushkë gjuetie me 12 fishekë për të cilën nuk kishte leje. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndërsa në Lipjan, një grua u ankua se vjehrra e saj në vazhdimësi ushtron dhunë psikike ndaj saj. Me vendim të prokurorit, rasti shkon në procedurë të rregullt.