Dhurata Hoxha paralajmëron reforma në fushën e drejtësisë

Prishtinë | 07 Shk 2017 | 11:50 | Nga

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka thënë se reforma në drejtësi përmes rritjes së llogaridhënies është prioritet i saj për këtë vit. Këto komente, ministrja Hoxha, i bëri në takimin që kishte me ambasadorët e akredituar në Republikën e Kosovës.

Ajo ka theksuar rëndësinë e zbatimit të agjendës evropiane të reformave në drejtësi, duke qenë e përkushtuar që ajo të realizohet sa më parë.

Sipas saj, rishikimi funksional është projekt madhor i ministrisë, në të cilin janë hartuar termat e referencës që janë objekt diskutimi me USAID-in.

“Gjatë javëve të ardhshme do të nënshkruhet memorandumi i mirëkuptimit me të gjitha institucionet relevante të sektorit të sundimit të ligjit, që do të jenë pjesë e rishikimit funksional. Qëllimi i këtij procesi është që të rishikohet legjislacioni duke marrë për bazë praktikat më të mira, në mënyrë që të adresohen sfidat dhe vështirësitë në këtë fushë, si dhe të eliminohen mangësitë e mundshme. Reforma në drejtësi përmes rritjes së llogaridhënies prioritet imi për vitin 2017”, theksoi ministrja Hoxha.

Ministrja Hoxha u ndal në veçanti mbi pezullimin e zyrtarëve publik në rastet kur ngritët aktakuzë.

“Si pjesë e Agjendës Evropiane të Reformës, grupi punues është themeluar dhe mbajti takimin e parë javën e kaluar. Kjo është bërë në koordinim me zyrën e BE-së dhe bashkëpunëtorët tjerë. Me këtë synojmë që asnjë zyrtar publik me aktakuzë nuk mund të jetë në institucione. Në funksion të kësaj, kam kërkuar informatë zyrtare nga Kryeprokurori i Shtetit për punonjësit e Ministrisë së Drejtësisë”, theksoi ministrja Hoxha.

Ministrja foli edhe për ligjet që janë në proces si Ligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve që është duke u bërë në koordinim të plotë me zyrën e BE-së dhe Ambasadën e SHBA-së. Qëllimi i këtij ligji, theksoi Ministrja, është për të krijuar një mekanizëm që do të mundësonte performancë më të mirë nëpërmjet llogaridhënies.

Ministrja Hoxha foli edhe rreth përmirësimit të legjislacionit për Profesionet e lira si Ndryshimi i Ligjit për Procedurën Përmbarimore, Ligji për Ndërmjetësim dhe Ligji për Noterinë që së shpejti do të jenë në Kuvend.thumbnail_IMG_1463

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme