Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka marrë mbështetje nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë për reformat e ndërmarra në Ministrinë e Drejtësisë dhe në sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Gjatë vizitës me ftesë nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, ministrja Hoxha është takuar të martën në Uashington me Bruce Swartz nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së, përgjegjës për bashkëpunim ndërkombëtar për zyrat OPDAT, ICITAP, INL, të cilat mbështesin Republikën e Kosovës, thuhet në një komunikatë të MD-së.
Në këtë takim, ministrja Hoxha dhe Bruce Swartz nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së thuhet se kanë diskutuar për përkrahjen amerikane për sundimin e ligjit në Kosovë, ndërsa u vlerësua puna që po bën Ministria e Drejtësisë për reforma në sundimin e ligjit.
“Ministrja Hoxha mori mbështetje të plotë të Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së edhe për fuqizimin e legjislacionit për sistemin e drejtësisë, për të fuqizuar edhe më shumë llogaridhënien dhe transparencën e institucioneve të drejtësisë”, thekson njoftimi për shtyp.