Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka nominuar zyrtarisht për ministre të Drejtësisë, Dhurata Hoxhën. Ky nominim i saj është bërë sot përmes një konference për media të mbajtur nga Hajredin Kuçi, i cili zyrtarizoi Dhuarat Hoxhën për ministre të Drejtësisë.
Ajo do të zëvendësojë bashkë-partiakun e saj, Hajredin Kuçin, i cili do të mbajë postin e zëvendëskryeministrit të Kosovës.
Emërimin e saj, Kuçi e cilësoi si lajm të mirë për drejtësinë në Kosovë, por edhe vetë PDK-në.
“Kuadër i përgatitur edhe nga arsimimi i saj, por edhe nga përvoja e arritur si këshilltare e ish-kryeministrit, por edhe tani e kryetarit të Kuvendit. Në pozicionin e ri Hoxha do ta ngrisë perceptimin për sistemin e drejtësisë dhe sundimin e ligjit”, u shpreh Kuçi.
E nominuara për ministre të Drejtësisë, Hoxha, shprehu gatishmërinë për të vazhduar me reformat në sistemin e drejtësisë.
“Dua të shpreh përkushtimin tim personal që të forcojë luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar duke sforcuar më tutje parimin se askush nuk është mbi ligjin dhe se të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit”, tha Hoxha.
Ajo premtoi transparencë të plotë gjatë punës së saj, si dhe bashkëpunim me shoqërinë civile.
Aktualisht, Hoxha është Këshilltare Politike e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ku përgjegjësitë e saj mbulojnë politikat e sigurisë dhe sundimit të ligjit.
Para se të emërohej në pozitën aktuale ka qenë Këshilltare e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në të cilën pozitë është emëruar që nga marsi 2011 – dhjetor 2015. Përgjegjësitë e saj kryesore kanë qenë në fushën e sigurisë kombëtare si dhe sundimit të ligjit.
Përvoja e Hoxhës përfshinë edhe detyrën e këshilltares së ministrit të Punëve të Brendshme që nga tetori 2008 – mars 2011.
Ndërsa në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Dhurata Hoxha ka kontribuar në hartimin e legjislacionit kyç të sigurisë, duke përfshirë edhe strategjitë kryesore të sektorit të sigurisë.
Hoxha aktualisht është anëtare e Kryesisë qendrore të PDK-së, si dhe e Kryesisë së PDK-së dega Prishtinë kurse në zgjedhjet e fundit, si anëtare e PDK-së, ajo ishte edhe kandidate për deputete në Parlamentin e Kosovës.
Ministrja e re e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, që nga viti 2008, është profesor jo i rregullt në kolegjin ESLG dhe Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK), ku ajo ligjëron lëndët si Terrorizmi dhe Dhuna Politike; Feja dhe Globalizimi, Politika dhe Politikat Publike; Etika në Marrëdhëniet Ndërkombëtare, dhe Vlerat dhe Politikat Publike.
Ministrja e re, Dhurata Hoxha, ka përfunduar studimet e saj universitare në ‘Graceland University’, ku edhe diplomoi në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Shkenca Politike me nderime të larta.