Procesi i dialogut Kosovë-Serbi i nisur në vitin 2001 po cilësohet se është karakterizuar nga mungesa e transparencës së plotë për të gjitha takimet dhe modelin e realizimit të këtij formati të bisedimeve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Njohësi i rrethanave politike, Arben Fetoshi, në një prononcim për Ekonomia Online thotë që detyrë parësore e Qeverisë dhe institucioneve duhet të jetë arritja e një konsensusi të gjerë politik e shoqëror në përpjekje që të krijohet një front i përbashkët përballë Serbisë.
“Procesi i dialogut Kosovë-Serbi është karakterizuar nga mungesa e transparencës së plotë për të gjitha takimet dhe modelin e realizimit të këtij dialogu. Ndërkaq në veçanti në mos rifillimit e dialogut me Qeverinë e re sërish kemi një mbyllje të Qeverisë tonë për opinion publik dhe sërish në pikëpamje të transparencës dialogu nuk karakterizohet me një ndryshim cilësor as sa i përket metodave sa i përket raportit me opinion publik dhe institucione tjera”.
“Natyrisht unë jam i vetëdijshëm për faktin se dialogu tashmë është në fazën më kritike sepse është në fazën e fundit dhe kjo nënkupton para se të brengosemi për transparencën e këtij procesi të brengosemi për finishin. E në këtë kuadër besoj që një prej aspekteve më të rëndësishëm të cilën do të shpresoja që Qeveria ta ketë parasysh është bindja ime se në muajt e ardhshëm presioni ndërkombëtar mbi Kosovën do të shkojë duke u rritur”.
Sipas tij, epilogu i dialogut do të duhej të ishte në favor të Kosovës edhe pse thotë se epilogu i këtij procesi pa një qasje më agresive dhe rritjen e presionit të faktorit ndërkombëtar është i pamundur.
“E në këtë kuptim mendoj se është detyrë parësore e Qeverisë dhe institucioneve tjera që fillimisht të angazhohen për një konsensus të gjerë politik e shoqëror në përpjekje që të krijojmë një front të përbashkët përballë Serbisë më qëllim që pasojat eventuale të këtij procesi të jenë më të vogla. Të gjithë do të shpresonim që procesi i këtij epilogu të ishte në favor të Kosovës gjithmonë referuar sinjaleve që na vijnë nga ndërmjetësit duke pasur parasysh çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ose si ideja e shkëmbimit të territoreve për zgjidhjen e konfliktit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
“Mbi të gjitha dua të theksoj se unë nuk pres sa i përket epilogut të këtij procesi pa një qasje më agresive dhe rritjen e presionit të faktorit ndërkombëtar dhe pa ndërhyrjen e ShBA në këtë proces si partneri ynë që do të duhej të garantojë jo vetëm arritjen e marrëveshjes, por edhe zbatimin e saj të plotë”, tha Fetoshi.
Ndërsa, ish-kryetari i Odës Ekonomike në Kosovë (OEK) Safet Gërxhaliu, ka thënë se pozicioni i Kosovës sa i përket dialogut me Serbinë është dobësuar shkaku i moszgjidhjeve të probleme ndërmjet vete.
Sipas tij, Serbia ka fituar kohë dhe pozicioni i Kosovës është dobësuar edhe nga vetë fakti që Evropa nuk është unike siç ka qenë më parë.
“Për fat të keq Ballkani Perëndimor shumë më tepër duhet të kthehet në vitet 80-ta dhe 90-ta se sa që i ngjason Ballkanit Perëndimor të vitit 2021. Në rend të dytë raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë të acaruara sikur më parë sa i përket gjetjes së ujdisë për bashkëpunim dhe bashkëveprim. Dhe e treta duhet të kuptohet që efektet e qeverive të kaluara tani po manifestohen në Kosovë dhe vërtetë situata është mjaft shqetësuese”.
“E them për faktin që Serbia ka fituar kohë dhe pozicioni i Kosovës është dobësuar edhe nga vetë fakti që Evropa nuk është unike siç ka qenë më parë. Shumë më tepër po dialogohet për tu pajtuar dhe jo për të zgjidhur alternative se si të shkohet përpara. Emëruesi i përbashkët i zgjidhjes së problemit në Ballkanin perëndimor nuk është Kosova është Serbia dhe pranimi i realiteti ndërmjet një marrëveshje gjithëpërfshirëse në relacion Kosovë Serbi”, tha Gërxhaliu.
Sipas tij, Kosova edhe më tutje mbetet me 480 milionë eksport ng Serbia, gjë që dëshmon se vendi eksporton para të gatshme që e godet qytetarin dhe aspektin social.
“Efektet e një marrëveshje të tillë kishin me qenë multidimensionale të rëndësishme politikisht, të rëndësishme në aspektin integrues, por mbi të gjitha në aspektin ekonomik. Dua të besoj që me një marrëveshje të tillë shumë probleme kishin me u largu. Kosova edhe më tutje mbetet me 480 milionë eksport që është shqetësuese që dëshmon që Kosova eksporton para të gatshme që fatkeqësisht e ka arritur normën 5.9% që e godet qytetarin dhe aspektin social në Kosovë”.
Profesori Dritëro Arifi, tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mund të ketë epilog vetëm atëherë kur ShBA-ja dhe BE-ja janë të vendosura fuqishëm në këtë drejtim.
Arifi tha se këto dy fuqi duhet të ushtrojnë presion mbi Serbinë për pranimin e realitetit, raporton EO.
“Kjo varet nga shumë palë, sepse është dialog tre palësh mes Serbisë, Kosovës dhe Bashkimit Evropian, por edhe katër palësh nëse e llogarisim edhe SHBA, dhe kjo mund të merr epilog nëse SHBA dhe BE-ja janë shumë të vendosur, të fuqishëm në këtë drejtim që t’i bëjnë presion Serbisë, që e pranon realitetin ose ecim tutje me masat e tjera, sepse përndryshe mentaliteti i politikës serbe që sot është aktual ende janë në regjim fashist dhe pa ndryshuar ky botëkuptim unë nuk shoh një zgjidhje shumë të shpejtë”.