Epitete të ndryshme u janë vënë bashkatdhetarëve të Kosovës. Prej atyre më popullore si: kurbetçinj, mërgimtarë, diasporë, e deri te ai pezhorativ “schatzi”.
Pavarësisht kësaj, ata vazhdojnë të jenë burimi kryesor i të ardhurave për familjet dhe vetë shtetin e Kosovës, shkruan sot “Koha Ditore”. Ende mbajnë gjallë vendin me remitencat e dërguara nga ta e që janë rreth 1 miliard euro në vit. Bashkatdhetarët janë shndërruar në kuletë për familjet e tyre në Kosovë.
Vetë ata pohojnë të jenë shndërruar në njëlloj enti social. Por si “shpërblim” për të gjitha këto, kur vijnë në Kosovë gjejnë pritje të gjata në kufij, “plaçkën” në emër të sigurimit të automjetit, trajtimin jo të mirë institucional e shpesh edhe njëfarë refuzimi nga vendësit. E vetmja që nuk u refuzohet është paraja!
“Mirëseardhja” e parë në kufij
Remitencat janë pagesa parash në formën e dërgesave pa kundërshpërblim dhe janë pjesë përbërëse e bilancit të pagesave në llogarinë korente të sistemit monetar. Ato, në mbarë botën, llogariten të jenë fluksi i dytë më i rëndësishëm financiar pas ndihmave ndërkombëtare.
Në raportin vjetor për 2017 të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) të publikuar në qershor të këtij viti, thuhet se remitencat e pranuara në Kosovë, që njëherësh paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore, arritën vlerën prej 759.2 milionë eurosh, që paraqet një rritje vjetore prej 9.9 për qind.