Diplomatët e BE-së kërkojnë rritjen e prodhimit të municionit për Ukrainën

Prishtinë | 20 Shk 2023 | 15:46 | Nga Ekonomia Online

Diplomatët e lartë të Bashkimit Evropian paralajmëruan të hënën se duhet të gjenden mënyra për të ofruar shpejt mijëra predha artilerie për Ukrainën ose BE-ja do të duhet të përballet me mundësinë e humbjes së luftës kundër Rusisë.

Kjo deklaratë erdhi gjatë së hënës kur presidenti i ShBA-së, Joe Biden, bëri një vizitë të papritur në Ukrainë dhe përderisa po raportohet për pakësim të rezervave të municioneve në Evropë. “Sot, çështja më e rëndësishme dhe urgjente për ushtrinë ukrainase është të ketë një fluks të vazhdueshëm municionesh”, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, përpara se të kryesonte një takim të ministrave të jashtëm të bllokut. “Nëse dështojmë në këtë, me të vërtetë, rezultati i luftës është në rrezik”.

Borrell tha se forcat ruse gjuajnë rreth 50.000 fishekë artilerie çdo ditë dhe se furnizimet e Ukrainës duhet të ngrihen në të njëjtin nivel. Vlerësime të tjera sugjerojnë se Ukraina po gjuan 6.000 deri në 7.000 predha artilerie në ditë, rreth një e treta e totalit të Rusisë.

Borrell tha se diskutimi brenda BE-së do të përqendrohet në gjetjen e mënyrave për të bërë blerje të përbashkëta municionesh dhe përdorimin e një fondi të posaçëm të BE-së për të siguruar financim shtesë.

Të ngjashme