Rusia dhe Shtetet e Bashkuara u pajtuan që diplomatët e tyre të lartë të takohen pas samitit të presidentëve të të dyja vendeve, që do të mbahet këtë muaj, tha ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Lavrov tha se takimi i tij me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, do të zhvillohet pas bisedimeve midis Vladimir Putinit dhe Donald Trumpit, në Helsinki, më 16 korrik.
“Jemi pajtuar që datën dhe vendin ta zgjedhim pas takimit të presidentëve tanë në Helsinki”, tha Lavrov.
Marrëdhëniet midis Moskës dhe Uashingtonit janë të tensionuara keq, për shkak të aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, rolit të Moskës në luftërat në Siri dhe lindje të Ukrainës, si dhe ndërhyrjes së saj në zgjedhjet presidenciale në SHBA, në vitin 2016.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Putin është i gatshëm për kompromise me Trumpin për të gjitha çështjet, përveç statusit të Krimesë, të cilën Moska e konsideron pjesë të saj.