Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka pritur homologun e tij finlandez, Pekka Haavisto, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për medie, Pacolli ka thënë se ka njoftuar Haaviston për proceset në Kosovë.
Tha se ka marrë përkrahje nga ky shtet që Kosova ta ketë liberalizimin e vizave.
“Ju e dini se Finlanda ka marrë presidencën e BE-së dhe ne kishim një takim edhe më herët. Jam i lumtur që homologu im vizitoi Kosovën dhe mund të them se marrëdhëniet tona janë të mira. Nuk kemi asnjë problem që mund ta dëmtojë këtë marrëdhënie. Kemi nënshkruar disa marrëveshje dhe kemi filluar disa nisma dhe do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. E njoftova kolegun tim për procesin zgjedhor dhe po ashtu e njoftova se Qeveria e ardhshme do të jetë shumë më e kujdesshme në krijimin e kushteve për të filluar dialogu më Serbinë dhe të përfundojë ky proces me njohje reciproke”.
“Kosova është duke punuar në procesin e stabilizim- asociimit dhe e njoftova për marrëdhëniet e BE-së sa i përket liberalizimit të vizave. Më tha në takim kolegu im se do të angazhohet që në mënyrë korrekte që kosovarët të lëvizin lirshëm. Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në përshpejtimin e kushteve që iu janë vë Kosovës dhe jemi duke punuar në këtë drejtim”, ka thënë Pacolli.
Ai tha se e ka informuar homologun e tij në lidhje me situatën e krijuar që Serbia po mundohet ta dëmtojë Kosovën në organizata të ndryshme.
E homologu i Pacollit, finlandezi Pekka Haavisto, ka thënë se diaspora kosovare në Finlandë është shumë e njohur për kontributin e tyre.
“Këtë rast i thash ministrit që kur isha për herë të parë në Kosovë në vitin 1990 i pash qytetarët që kërkonin mbrojtje. Ju përgëzoj për punën që keni bërë dhe e di se keni fushatë por ju falënderoj që keni gjetur kohë për neve. Diaspora në Finlandë është e njohur si në bujqësi, sport e shumë të tjera. Ne kemi qenë përkrahës jo vetëm në pavarësi, por edhe në aktivitete tjera ndërkombëtare ku edhe do të vazhdojmë me këtë përkrahje”.
Ai tha se duhet të taksa ndaj produkteve serbe duhet të lihet anash e bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë të vazhdojnë.
“E përmendët edhe liberalizimin e vizave, ne jemi duke punuar por është një fushë që është çështje e Këshillit të Bashkimit Evropian mirëpo jemi duke punuar edhe në atë çështje. Ka disa çështje që ju përmendët e që nuk kanë avancuar aq sa do të donim siç është dialogu Kosovë-Serbi, e keni mbështetjen tonë të plotë për të vazhduar bisedimet. Neve nuk na pëlqen që ka avokim kundër jush në disa kontekste. Kjo nuk është e pranueshme dhe gjithashtu ka disa çështje sa i përket tarifës dhe politikave. Shpresoj të gjitha këto çështje të lihen anash dhe bisedimet me Serbinë të vazhdojnë”, ka thënë Haavisto, raporton EO.