Sot në amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare është mbajtur ceremonia solemne e diplomimit të doktorëve të rinj të shkencës. Këta doktorë, për herë të parë në histori të UP-së janë betuar me një tekst që afirmon vlerat më të larta akademike dhe etike të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, raporton Ekonomia Online.
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Arben Hajrullahu shpjegoi hapat me të cilat përballet një doktor shkence deri në doktorim.
“Përfundimi i ciklit të studimeve është dëshmia e parë që kandidatja, kandidati arrin në mënyrë të plotësisht të pavarur, nën mentorimin, konsultimet që vazhdojnë në punë akademike pafundësisht, që në mënyrë të pavarur të identifikojë një temë problemore të fushës, disiplinës shkencore me të cilën merret. Të ngrisë një pyetje kërkimore, të jetë në dije dhe të dëshmojë se ç’të gjithë të arriturat dhe dijet në atë disiplinë shkencore i zotëron, i njeh, si dhe me hulumtimin e realizuar arrin që të kontribuojë me dije të reja lidhur me atë disiplinë, lidhur me atë pyetje problemore të cilën e ka trajtuar përgjatë viteve, disa viteve rradhazi në fakt.
Pra është dëshmia e parë, po shpresoj që jo e vetme, por do të vazhdojnë edhe shumë dëshmi të tjera ku ju, si pjesë e komunitetit akademik, shkencor, në disiplina të ndryshme, në fusha të ndryshme, arrini në mënyrë të dëshmuar, empirike, me kontribu me plotësimin me dije të reja. Për dallim prej sistemeve tjera, ne në shkencë e dimë që nuk ka të vërtetë absolute. Diçka vlen si e vërtetë për aq kohë sa nuk dëshmohet e kundërta. Kjo është madhështia e vetë sistemit në të cilin funksionojmë. Sikur të kishim marrë për të mirëqenë ndonjë dogmë, atëherë ne nuk do të arrinim në sistemin e quajtur shkencë që të bëjmë progresin e vazhdueshëm siç ka ndodh ndër shekuj në institucionet ku zhvillohet hulumtimi, kërkimi dhe dija. Andaj madhështorja është se ne, aq më shumë saqë thellohemi në studimet në fushat, disiplinat tona, aq më shumë ngrisim edhe pyetje për të panjohurat. Jemi të vetëdijshëm për atë se sa pak dimë edhe për atë se sa shumë do të mund të dihet nga ne apo nga gjeneratat që vijnë në të ardhmen. Në kohën të cilën jetojmë ne, unë besoj që jemi në një formë të bekuar, me pas qasje në informata si asnjëherë më parë. Mirëpo vetëm mundësia apo vetëm posedimi i informatave ne nuk na bën domosdoshmërisht më të shkathët, më të dijshëm. Mjeshtëria, që e keni dëshmuar edhe ju me studimet e doktoratës, është që dimë t’i analizojmë informatat të cilat i kemi me bollëk. Dimë t’i përdorim, mirëpërdorim, në mëtimin për të gjetë përgjigje për pyetjet. Ne e dimë që veprimtaria e jonë fillon me pyetje. Në qoftë se nuk kemi pyetje, atëherë ne nuk mund të realizojmë kërkime. Pa kërkime ne nuk mund ta mirëmbajmë, ta realizojmë sistemin e quajtur shkencë”, tha ai.
Në emër të kolegëve foli Donika Elez-Kurtaj e sapo dimplomuar si doktor shkence në Fakultetin e Filologjisë. Ajo foli për sfidat e mbi të gjitha tha se duhet falënderuar vetën.
“Sot mbajmë një titull që për vite me rradhë dukej shumë i largët. Pas netëve pa gjumë, faqeve të rishikuara dhe pyetjeve që nuk merrnin fund, ja ku jemi sot. Kur përfundova mbrojtjen e doktoratës, ju ktheva fëmijëve, si edhe sot, dhe ju thashë: ‘U kry!’ Po, një kolege e imja m’u kthye mua dhe më tha: ‘Donikë, po më vjen keq, asgjë nuk është kry, ky është vetëm fillimi.’ Dhe si çdo herë tjetër, fatkeqësisht edhe kësaj rradhe pati të drejtë. Sepse doktoratura nuk është fundi i një rruge. Është fillimi i një përgjegjësie shumë më të madhe. Është fillimi i detyrimit për të kërkuar të vërtetën me integritet dhe për të menduar me guxim, dhe për ta vënë dijen në shërbim të shoqërisë. Sot, mbi të gjitha, është një ditë mirënjohjeje. Falenderojmë mentorët tanë për udhëheqjen dhe besimin. I falenderojmë komisionet vlerësuese dhe profesorët për përvojën e ndarë, me mbështetjen e heshtur por shumë aktive, në momentet më të vështira. Falenderojmë institucionin tonë për mbështetjen dhe për lehtësimin e rrjedhës së procesit. Falenderojmë familjarët tanë, që duruan mungesën tonë, që pritën shumë gjatë, dhe që besuan edhe kur ne dyshonim në veten tonë.
Me respekt e mall, kujtojmë ata të dashurit tanë, të cilët nuk i kishim gjatë këtij rrugëtimi, të cilët do të donim t’i kishim sot pranë dhe t’i bënim krenarë. Dhe po, me pak humor, por me shumë sinqeritet, falenderojmë edhe veten. Po. Falenderojmë veten që nuk u dorëzuam, që mbijetuam shumë netë pa gjumë, dhe që vazhduam edhe atëherë kur rruga na u duk shumë më e gjatë sesa forcat tona. Sot ndoshta kemi më shumë përgjigje se që kishim dje, por mbi të gjitha kemi mësuar të bëjmë pyetje më të mira. Prandaj, le ta mbajmë këtë gradë jo si një fund, por si një fillim. Një fillim të guximit për të folur kur duhet. Një fillim të përgjegjësisë për të mbrojtur të vërtetën. Një fillim të përkushtimit për ta bërë dijen dritë për shoqërinë tonë. Sepse sot ne nuk marrim vetëm një titull; sot marrim një mision”, tha ajo.
Prorektori për shkencë, Avni Hajdari, ftoi doktorët e rinj të shkencës për të marrë diplomën.
31 doktorët e rinj të shkencave janë:
Fakulteti Filozofik
Driton Tiku
Shkencat Matematiko-Natyrore
Afërdita Cataj
Edona Kabashi-Kastrati
Arbër Frangu
Fakulteti i Filologjisë
Ariana Lukaj
Defrim Salihu
Donika Elezkurtaj-Berveniku
Edona Jahiu
Emira Bajçinca
Festime Mehdiu
Serafina Lajçi
Fakulteti Juridik
Simeana Beshi
Fakulteti i Ekonomisë
Adriatik Avdylaj
Agnese Ibrahimi
Albane Gashi
Argjente Qerimi-Rafuna
Bardha Mulhaxha
Kamer Brahimaj
Marigona Geci
Nermin Xhemili
Qëndrese Ibrahimi
Fakulteti i Mjekësisë
Dijon Musliu
Edita Goranci-Haxhiu
Fatbardhe Kurti
Florie Basholli
Jehona Ismajli-Kadriaj
Genc Rukiqi
Mjellma Rexhepi
Shkëlzen Reçica
Violeta Hyseni
Fakulteti i Edukimit
Arbëresha Beka




