Disa hapa për mbrojtje nga lajmet e rreme në kohën e “Infodemisë”

Prishtinë | 30 Mar 2020 | 10:54 | Nga Alban Zeneli


Infodemia, është term që përdoret për të përshkruar sasinë e madhe të informacioneve që u ofrohet publikut deri në atë masë saqë ai nuk di cilin të zgjedhë. Në këtë kuptim, aktualisht publiku është i “bombarduar” nga lajmet për pandeminë “Covid-19”. “Infodemia” tashmë është përdorur si term edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, duke iu referuar lajmeve të rreme për pandeminë “Covid-19”. Problemi kryesor aktualisht është: cilin lajm ta zgjedhim që t’i besojmë. Të renditura i gjeni disa nga format për të përzgjedhur lajmin që duhet t’i besoni.

  1. Fillimisht mos besoni gjithçka që lexoni. Lajmet e rreme krijohen edhe për të përdorur friken dhe emocionet tuaja për përfitime ekonomike. Përdorimi i emocioneve si frika për të fituar qarkullim në rrjete sociale, njihet në teori si përdorim i pavullnetshëm i këtyre rrjetave-përdorimi afektiv. Pra, menaxhoni friken dhe emocionet tjera, duke lexuar sa më pak lajme që e kane këtë qëllim.
  2. Kujdesuni që lajmet të jenë të bazuara në fakte. Lajmet e rreme nuk janë të bazuara në fakte. Rrjedhimisht në secilin lajm që e lexoni në internet sigurohuni që të ketë fakte. Si t’i dallojmë? Audienca nuk i di të gjitha faktet e botës, aq më pak ato të shkencës së mjekësisë. Prandaj, mënyra për t’i dalluar është t’i shohim referimet në burime.
  3. Sigurohuni që lajmet që i keni lexuar të kenë burime kredibile. Lajmet e pavërteta, zakonisht nuk kanë burime konkrete, kanë me shumë “rrëfime” sesa referime në burime të besueshme. Disa burime kredibile, për kohën e pandemisë në Kosovë janë: Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, Ministria e Shëndetësisë dhe zyrtarët e tyre, Organizata Botërore e Shëndetësisë, e të ngjashme.
  4. Kujdesuni që lajmet që i lexoni të kenë më shumë se një palë të përfshirë në ngjarje. Lajmet e rreme shpeshherë kanë për qëllim të paraqesin fakte të njëanshme, prandaj, kujdesuni që lajmet që i lexoni të mos jenë të tilla. Lajmet e vërteta duhet të përfshijnë të gjitha anët e të “vërtetës”, ndryshe rrezikoheni të bini pre e propagandës, si formë e lajmit të rremë.
  5. Dyshoni në secilën përmbajtje ku autori i lajmit jep mendim. Lajmet e rreme shpeshherë japin një gjysmëinformatë e pastaj atë e interpretojnë për qejfin e autorit. Dallojeni mendimin nga informata. Gazetarët, autorët, e gjithë qytetarët kanë të drejtë të kenë mendimin e tyre në raport me ngjarjet që zhvillohen, por, ata i shkruajnë në rubrikat e opinioneve, e jo në brendi të lajmit.
  6. Shikoje datën. Një lloj i lajmeve të rreme, kryesisht histori të çuditshme në vende të largëta të botës kanë predispozita të rikthehen kohë pas kohe si lajme të reja. Prandaj, shikoje datën e publikimit, dhe nëse dyshon, bëje një kërkim në google.
  7. Mundohuni ta kuptoni satirën. Shpeshherë satira si formë e komunikimit që karakterizohet nga ironia mund të duket shumë e vërtetë për një realitet të caktuar. Prandaj, kujdesuni që kur lexoni satirë të mos e kuptoni si lajm.
  8. Verifiko domenin dhe faqen në rrjetat sociale. Disa faqe që shpërndajnë lajme të rreme kanë emra të çuditshëm. Shembull emrin e një futbollisti të famshëm me disa shkronja tjera prapa. Kur shihni emra të tillë të hapësirës në internet (domenit) mos i trajtoni seriozisht. Po ashtu, faqet dhe profilet e rrjetave sociale që përhapin lajme të rreme zakonisht krijohen aty për aty, andaj shikoje kohën e krijimit të faqes apo profilit. Sa më e re të jetë faqja/profili, aq më shumë dyshoni në to.
  9. Gjykoni secilën përmbajtje. Me këshillat e mësipërme krijoni një mekanizëm tuaj të gjykimit kritik mbi përmbajtjet që i lexoni. Kjo iu ndihmon që gabimet e mëhershme me lajmet e rreme të mos i bëni më.
  10. Mos shpërndaj pa verifikuar! Lajmet e rreme shpeshherë shpërndahen nga përdoruesit e rrjetave sociale pa e ditur që ato janë një mashtrim. Prandaj, për ta ndalur hovin e tyre, që gjeneron edhe të ardhura për autorët e lajmeve të rreme, MOS SHPËRNDAJ ASGJË PA E VERIFIKUAR.

(Autori është ligjërues në Departamentin e Gazetarisë – UP)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme