Xhafer Cela dhe tre punëtorë të tjerë janë lënduar të hënën në vendin e punës në minierën e Trepçës. Vëllai i tij thotë se ka marrë lëndime trupore të rënda, ndonëse nga Sindikata e Trepçës po thonë se lëndimet kanë qenë të lehta. Për rastin nuk është njoftuar as Policia e Kosovës
Xhafer Cela ka marrë lëndime të rënda trupore të hënën në vendin e punës në minierën e Trepçës, thotë vëllai i tij, Nexhat Cela. Sipas tij, punëtori i minierës së Trepçës ka pësuar lëndime në kokë, gjoks e krahë.
“Ai ka lëndime të rënda. Lëndime ka gjithandej në trup dhe ka qenë një situatë shumë e rëndë, saqë vetëm sekondat e kanë shpëtuar. Siguria është në zero dhe punëtorët duhet me pas siguri. Vëllai është në gjendje të rëndë. Është në shtëpi momentalisht, mirëpo ka lëndime në kokë, në krahë, në gjoks, ka shumë lëndime. Thyerje nuk ka por lëndime ka sa të thuash. I kanë dhënë nja 1 javë pushim, a ky si të qohet i merren mendtë sepse kokën e ka shumë të lënduar. Krejt llom e ka që i kanë rënë xehet krejt “, ka thënë ai.
Ai ka hedhur shqetësimin edhe për moskallëzimin e këtij rasti në Policinë e Kosovës. Sipas Celës kjo është bërë me qëllim të ikjes nga përgjegjësia.
“Normal që doktori është dashur që si të shkojë i lënduar, pasi e kanë dërguar me ndihmë të shpejtë dhe mjeku është dashur me e lajmëru Policinë. Këto çdokush i neglizhon sendet. Është dashur të shkojnë dhe të bëjnë ekspertizë. Është dashur që të shkojë Sindikata, Policia dhe çdokush është dashtë me shku aty me këqyr çka ka ndodhë. Këta nuk i raportojnë sendet me arsye me i ikë përgjegjësisë”, deklaroi ai.
Vëllai i Xhaferit jep një version se si ka ndodhur ngjarja. Ai tha se vëllai i tij ra në një thellësi, teksa u shpëtua nga punëtorët e tjerë.
“Vëllai ka zbritë nja 15 metra me një shkallë, e atje kur u ndalë ka thënë më nuk di gjë dhe ka rënë edhe nja 15 metra teposhtë deri në fund dhe vetëm e kanë nxjerrë kolegët e punës, se përndryshe kanë mundur që të gjithë të bien aty. Dikujt i ka ra të fikët dhe asi ka qenë në gjendje të rëndë. Vetëm sekondat i kanë shpëtuar aty. Kanë qenë tre punëtor dhe më pas ka shkuar edhe një. Katër kanë qenë”, ka thënë Cela .
Kryetari i Sindikatës, Gani Osmani, tha se ata janë lënduar në flotacion, si pasojë e rrëshqitjes së xehes.
Ai deklaroi se lëndimet që kanë marrë nuk kanë qenë të rënda dhe se nuk ka informacione nëse Policia është e lajmëruar për rastin.
“Janë lënduar në flotacion. Duke punuar në xehe, ka rrëshqitur xehja dhe i ka lënduar punëtorët. Nuk janë lënduar rëndë. Janë lënduar, por jo shumë rëndë. Nuk e di nëse është lajmëruar policia për rastin. Është drejtori i flotacionit atje dhe nuk e di nëse e kanë lajmëruar rastin. Edhe kur shkojnë në spital apo në Shtëpi të Shëndetit bëhet pyetja se ku janë lënduar dhe tash nuk e di se a ka qenë e njoftuar policia”, ka thënë ai .
Nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Mitrovicë kanë thënë se ky rast nuk është raportuar gjatë javës, ndonëse kjo ngjarje ka ndodhur të hënën, shkruan Express.
Ndërkohë, nga menaxhmenti i Ndërmarrjes Publike “Trepça”, deri në publikimin e këtij teksti, nuk kanë kthyer përgjigje për këtë rast.